Skip to content

Muçaj: Kapitulli 28 me përgatitjen më të dobët, korrupsioni pengon progresin!

a1359594 7626 43e7 93c5 b50dcf6afc88

Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë evidenton përparim të kufizuar në disa fusha kyçe të negociatave, ndërsa siguria ushqimore, mbrojtja e konsumatorit dhe korrupsioni vijojnë të përbëjnë sfida për vendin.
E ftuar në emisionin “Alert” në News24, Ermelinda Muçaj, oficere projekti në EMA tha se Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit europian, por objektivi për përmbylljen e negociatave në vitin 2027 kërkon përshpejtim të reformave dhe rezultate konkrete.
Sipas saj, raporti i këtij viti është ndër më pozitivët krahasuar me vitet e mëparshme, por kjo nuk do të thotë se Shqipëria ka siguruar ritmin e nevojshëm për të përmbyllur negociatat brenda afatit të synuar.
“Jemi në një fazë shumë të rëndësishme. Duhet të kemi progres dhe një nivel shumë të mirë përgatitjeje, në mënyrë që të përmbyllim negociatat në vitin 2027” u shpreh Muçaj.
Një prej problematikave të evidentuara lidhet me mbrojtjen e konsumatorit, ku pavarësisht miratimit të ligjit të ri dhe parashikimit për ngritjen e një Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, rezultatet mbeten të pamjaftueshme. Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit rezulton funksional dhe ankesat adresohen, por Komisioni Europian vëren mungesë transparence për mënyrën se si trajtohen ato.
Muçaj theksoi se kapitulli 28, që përfshin mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik, ka nivelin më të ulët të përgatitjes krahasuar me 33 kapitujt e vlerësuar nga Komisioni Europian.
Një tjetër sektor ku kërkohet ndërhyrje është turizmi. Sipas Muçajt, një pjesë e konsiderueshme e ankesave të paraqitura përmes platformës “Linja e Gjelbër” lidhen pikërisht me këtë sektor, duke treguar se mbrojtja e konsumatorëve nuk është ende në nivelin e duhur.
Shqetësim mbetet edhe shëndeti publik, ku 2.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto shkon për këtë sektor, por qytetarët vijojnë të përballen me shpenzime të larta nga xhepi për shërbimet shëndetësore.
Një tjetër pikë kritike në këtë sektor është korrupsioni, i cili sipas Muçajt lidhet drejtpërdrejt me kapitullin e 1, atë të lëvizjes së lirë të mallrave. Ky kapitull nuk ka shënuar aspak progres gjatë këtij viti, ndërsa kontrolli, auditimi dhe transparenca mbeten çështje që kërkojnë vëmendje të veçantë.
“Pjesa e kontrollit duhet diskutuar më së shumti, por edhe ajo e auditimit dhe transparencës. Korrupsioni lidhet drejtpërdrejt me këtë kapitull” theksoi Muçaj.

Raporti i Komisionit Europian tregon se sfida kryesore mbetet kalimi nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre në praktikë. Përmbushja e objektivit të vitit 2027 do të varet nga aftësia e institucioneve për të prodhuar rezultate të matshme, veçanërisht në sektorët ku qytetarët përballen drejtpërdrejt me pasojat e mungesës së kontrollit dhe transparencës.