Presidenti amerikan ka shënuar një tjetër rast kontravers në komunikimin e tij, ku gjatë një dialogu në Zyrën Ovale me nobelisten e Paqes  Nadia Murad, ofroi disa nga ato që në gjuhën shqipe cilësohen dhe si mufka.

Murad, duke iu drejtuar Trumpit, i tha se pavarësisht se ISIS po largohet nga Iraku, autoritetet kurde dhe irakiane ende po luftojnë për kontrollin mbi zonën ku jeton popullsia jezide – prej nga ajo vjen – dhe e kërkoi që të ndërhyjë.

“Ju mund ta zgjidhni problemin tonë sot. Tani nuk ka ISIS, por ne nuk mund të kthehemi sepse autoritetet kurde dhe irakiane po luftojnë me njëri-tjetrin se kush do të kontrollojë zonën time. Nuk mund të kthehemi nëse nuk mund ta mbrojmë dinjitetin tonë, familjet tona”, tha Murad.

“Por ISIS ka ikur”, tha Trump shkurtimisht.

Murad i tha atij se ISIS vrau nënën e saj dhe gjashtë vëllezër. Trump pyeti: “Ku janë ata tani?”

Murad u përgjigj: “Ata i vranë dhe gjenden në varre masive në Sinjar”.

Por kjo nuk ishte e gjitha. Trump e pyeti Murad se  pse ajo mori çmimin Nobel.

“Pasi pas gjithë kësaj ndodhi, nuk u dorëzova. Doja të vetëdijësoja se ISIS përdhunon mijëra gra jezide. Ishte hera e parë që një grua nga Iraku doli dhe foli për atë që ndodhi”.

Trump pastaj u përgjigj: “Me të vërtetë? Kjo është hera e parë? ”

“Kjo është hera e parë”, u përgjigj ajo.

“Kështu që ju shpëtuat?”, tha Trump.

Ajo u përgjigj: “Po, por unë ende nuk e kam lirinë time, sepse askush nga ISIS nuk përfundoi në gjykatë”, tha Murad.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re