Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka folur për vendimin e ri të qeverisë që vihet në zbatim prej ditës së sotme për mësimin online me kohë të pjesshme. (Lexo këtu) Nxënësit nga klasa e parë në të pestë do të zhvillojnë mësim fizik fillimisht, por skenari i dytë mund t’i çojë në një mësim të alternuar online dhe në klasa.

Për këtë çështje, prindërit janë tepër të shqetësuar pasi nuk kanë me kë të lënë fëmijët vetëm në shtëpi pasi nuk janë të ardhurat për të qëndruar njëri prind pranë tyre apo që të punësojnë dikë për të mos lënë fëmijën vetëm. Në një intervistë për “Opinion”, Kushi i la pa përgjigje duke treguar se numri i nxënësve në klasa është i limituar për të shmangur shpërthimin e rasteve me Covid.

“Ne kemi lënë fleksibilitet që prindi ta vendosë vetë. Pra nëse duan dhe janë të shqetësuar për situatën e pandemisë, fëmija mund të bashkohet me grupin që bën mësimin online. Ne kemi menduar që klasat të ndahen në dy grupe dhe të mos tejkalohet numri”, tha Kushi.

Për këtë nisi një debat me ish deputeten e LSI-së, Floida Kërpaçin, e cila i tregoi se në një gjimnaz të Tiranës qëndrojnë 20 nxënës të grumbulluar.

Pjesë nga debati

Kërpaçi: Tek Ismail ka mbi 20 veta grumbull.
Kushi: Mbi 20 veta nuk ka asnjë rast.
Kërpaçi: Mund t’jua jap dhe me emër mbiemër e klasën.
Kushi: Nuk do ma japësh për unë jua siguroj se asnjë klasë nuk ka më shumë se 20 veta. Numri i nxënësve në klasa është maksimumi deri në 19.

Kërpaçi: Nëse nuk lejohen grumbullimet mbi 10 veta, si e lejoni me 19 veta në një gjimnaz?
Kushi: Që nga dita e parë e detyrës time, kam qenë në terren cdo ditë për të parë situatën.
Fevziu: Muhabet koti.

Ministrja foli edhe për mungesën e pajisjeve teknologjike dhe internetit në zonat e thella dhe tek familjet me vështirësi ekonomike. Kushi u shpreh se qeveria po punon dhe deri tani janë shpërndarë 15 mijë tableta.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për problematikat, për këtë arsye mbështesim këtë kategori nxënësish që janë më vulnerabël. Pra nxënësit e familjeve me vështirësi ekonomike dhe ata të klasave kolektive dhe deri tani janë shpërndarë 15 mijë tableta.

Mësimi online nuk mund të jetë njësoj me mësimin që bëhet në bankat e shkollës, është normale. Por është situatë e pazakontë dhe ky vendim është marrë në mënyrë që nga njëra anë të minimizohet përhapja e virusit”, tha Kushi. (A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re