Muho dëshmon para Shullazit

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Ish-kreu i Hipotekave Ilirjan Muho mohoi të ketë pasur dijeni për regjistrimin e ish-hotel Vollgës, 30 përqind e së cilës shkoi në favor të Emiljano Shullazit. Në dëshminë e tij këtë të martë  në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Muho tha se prona ishte regjistruar në kohën kur ai ka qenë me pushime, ndërsa situata precipitoi me palën tjetër kërkuese të ish Vollgës.
 
“Regjistrimi i Vollgës është bërë gjatë kohës që unë kam qenë me pushime. Pasi jam kthyer kam kërkuar takim me zv/drejtorin e Hipotekave, Besnik Hysenbelliu dhe drejtorin e hipotekës së Durrësit Jurgis Çyrbja. Kam mësuar se Hysenbelliu kishte firmosur një shkresë që i jepte “ok” Hipotekës së Durrësit për të vijuar veprimet për të hipotekuar “Vollgën”. Pasi jam njohur me rastin, kam vendosur që edhe pse ishte regjistruar “Vollga” ne hipotekë të pezulloheshin veprimet duke mos lejuar tjetërsimin e pronës, pavarësisht se ajo ishte regjistruar ne emër te Ylvi Beqajt. Pasi kam bërë këtë veprim jam telefonuar nga Ylvi Beqaj dhe Emiljano Shullazi, të cilët më kanë kërkuar një takim. Fillimisht më kanë thënë: “Do vish për kafe”.  Kam shkuar te qendra “Globe” në një lokal aty pranë dhe aty i kam vënë në dijeni që jane pezulluar veprimet dhe se nuk lejohej tjetërsimi i pronës. Pas tri ditësh ka ardhur Ylvi Beqaj në zyrë bashke me një avokat dhe ka sjellë dokumentacionin. Pasi jam njohur me dokumentet ia kam lënë zyrës juridike. Ndërkohe jam telefonuar edhe nga Alban Dabulla, të cilin e kam pritur ne zyre ne prani te drejtoreshës juridike dhe drejtorit te Hipotekës së Durrësit, dhe zv/drejtorit te Hipotekes. Gjate diskutimit, Dabulla ka dalë jashtë kontrollit duke sharë dhe ofenduar drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Ergysin. Situata u përkeqësua dhe në këtë moment kam kërkuar që Dabulla të nxirrej jashtë”.
 
Ish-kryeregjistruesi i Durrësit Jurgis Çyrbja deklaroi se kishte diskutuar disa here me Muhon për çështjen e regjistrimit të Ish-Vollgës. Sipas tij shkresa për të kryer regjistrimin e pronës kishte ardhur nga zyra qendrore e hipotekës, e cila më vonë kishte sjellë një tjetër shkresë për kufizim të regjistrimit.
 
Në seancën e kësaj të marte dëshmoi edhe truproja i Ylvi Beqajt, babai i Jani Zakës dhe Fatmir Sinanaj. I ati i biznesmenit Jani Zaka, Fehmi Zaka ndryshoi dëshminë e tij. Gjatë hetimeve ai kishte thënë se ishte kërcënuar nga Shullazi per çështjen e pronësisë së një parkingu, por në seancë u shpreh se nuk e njeh fare as Shullazin e as Danin.
 
Ai tha se problemin e ka me një tjetër person Fatmir Sinanaj, i cili sipas tij nuk i jep hipotekën e parkingut.
 
Roland Tarja, badigardi i Ylvi Beqajt tha se biznesmeni ishte shume i kënaqur nga bashkëpunimi me shullazin ndërsa në dy raste kishte tërhequr nga banka shuma në total prej 150 mijë eurosh, të cilat më pas ia kishte dhënë biznesmenit Beqja.
 
Në seancën paraardhëse, shoferi i biznesmenit tha se këto para i ishin dhënë Gilmando Danit.
 
 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë