U zhvillua të martën Kuvendi VII i Riorganizimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA), një aktivitet me rëndësi për jetën kulturore dhe letrare në vend. Në punimet e tij morën pjesë delegatë nga degët e LSHA-së, si dhe përfaqësues të shoqatave, klubeve letrare dhe organizatave kulturore nga Shqipëria dhe trevat shqiptare në rajon.

Kuvendi u zhvillua në një atmosferë diskutimesh të hapura, ku u theksua nevoja për modernizimin e veprimtarisë së LSHA-së, forcimin e bashkëpunimit kulturor brenda hapësirës shqiptare dhe në nivel ndërkombëtar, si dhe mbështetjen më të madhe për krijimtarinë letrare e artistike në kushtet e zhvillimeve të reja shoqërore.

Pas përfundimit të votimit të fshehtë dhe numërimit të votave nga Komisioni i Votimit, u shpall fitues me shumicë absolute dr. Mujë Buçpapaj, poet, studiues i letërsisë, pedagog universitar dhe botues i gazetës kulturore “Nacional”.

Gjatë Kuvendit u vlerësua edhe figura e tij si një prej zërave aktivë të kulturës bashkëkohore shqiptare, me kontribute në drejtimin e institucioneve kulturore dhe në promovimin e letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Punimet u përshëndetën edhe nga përfaqësues të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe organizatave kulturore nga rajoni, të cilët vlerësuan rolin e LSHA-së në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor shqiptar.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e themeluar në vitin 1945, pas viteve ’90 është riorganizuar si një strukturë pluraliste, duke vijuar të mbetet një nga institucionet kryesore të jetës letrare dhe artistike në vend.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re