Deputetja demokrate Jorida Tabaku, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku PS rrëzoi kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për parandalimin e konfliktit të interesit për funksionet publike, u shpreh se çështjen do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetja Tabaku deklaroi se “askush nuk mund të refuzoj të drejtën e opozitës për kontrollin dhe balancën e pushtetit”.

Sa i përket rezolutës për dënimin e sulmit në Veri të Kosovës, theksoi se mund të kenë një dakordësi.

“Po diskutohet një çështje që shpresoj të na bëjë bashkë nesër. Deputetët e përjashtuar duhet të ishin këtu për të treguar se ne na ndajnë shumë gjëra, por Kosova na bashkon. PS përsëri refuzoi të drejtën që opozita të ngrejë komisione hetimore. Askush nuk mund të refuzoj të drejtën e opozitës për kontrollin dhe balancën e pushtetit. Këtë vit nuk kemi pasur asnjë hapësirë për komisione hetimore. Ky i fundit ishte ngritur për parandalimin  e konfliktit të interesit për funksionet publike. Do të ketë fatin e të tjerëve dhe do të shkojë në gjykatën Kushtetuese.

PD e ka dorëzuar e para rezolutën. Nuk duhet të jetë luftë rezolutash. Rezoluta është akt mbështetjeje. Nga informacionet e fundit kuptoj që do kemi një dakordësi në mbështetje të asaj të Kosovës. Shpresoj që nesër të mos jetë debat politik, por të ngrihemi mbi interesin politik”, tha Tabaku.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re