Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se u ka përcjellë kongresmenëve amerikanë shqetësimet për Kosovën, duke u thënë se ajo që ndodhi në Veri është një akt terrorist i planifikuar nga Beogradi.

Komentet Mediu i bëri gjatë një interviste në News 24, ku ka folur në lidhje me një takim të zhvilluar me kongresmenët Pete Sessions dhe Robert Aderholt, në kuadër të përgatitjes të Forumit të Sigurisë për Ballkanin.

Ai tha se armatosja e Serbisë është e qëllimshme dhe mund të sjellë në Kosovë një skenar të ngjashëm me Gjeorgjinë dhe Krimenë.

“U kam përcjellë shqetësimet e Kosovës kongresmenëve amerikanë. Ajo që unë u përcolla është fakti se ajo që ndodhi në Kosovë ishte një akt terrorist i mbështetur nga qeveria e Beogradit. Armatosja e Serbisë nuk është pa qëllim. Është një politikë ofensive e ministrisë së mbrojtjes. Janë skenarë të ngjashëm me Krimenë dhe Gjeorgjinë.

Ne duhet të mbajmë një qëndrim të unifikuar dhe Tirana duhet të jetë zëdhënëse e qëndrimeve të Prishtinës. Nuk duhet të tregohemi naivë sa të themi se nuk do ketë një konflikt. Ndryshimet gjeopolitike do kenë ndikimet e tyre. Kosova dhe dialogu i saj janë një nga problemet më të mëdha momentalisht.

Rusia kërkon një tjetër vatër konflikti dhe ajo që po ndodh në Kosovë ka mbështetjen e edhe të Rusisë”, u shpreh Mediu.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re