Sipërmarrësja Arjeta Puca ka rrëfyer për kryeministrin Edi Rama të gjithë rrugëtimin e saj nga fëmijëria, emigrimi në Turqi dhe kthimi në Shqipëri ku edhe zotëron një biznes të suksesshëm. Arjeta ishte 30 vjeç kur vendosi të kthehej në Shqipëri dhe prej disa vitesh merret me prodhimin e ambulancave.
“Thashë unë do kthehem dhe njëherë mendova që mund t’i shes mjetet qe i kemi tek kompania turke, por pas dy vitesh më doli një projekt ambulancash dhe punuam me një kompani dhe ajo kompani e la në mes projektin po fatkeqësia u bë fat për mua dhe mësova si bëhet ambulanca se edhe vetë jam inxhiniere.
Edhe fillova të bëja ambulancat se klientët vinin me kërkesa prapë me ambulanca, pas ambulancës erdhën më kërkesa makina të tipit policie, berberhane, më projekte të çuditshme dhe me të gjitha thoja po, i studioja. Bashkëpunoj me specialistët, kështu që fillova të prodhoj. Është edhe punë iniciative.”, thotë ajo.
Arjeta tregon se ka jetuar edhe në Gjermani dhe Japoni por lumturinë e ka gjetur në vendin në Shqipëri. E pyetur nga kryeministri Rama se çfarë iu thotë njerëzve që mendojnë se në këtë vend nuk mund të jetohet, Arjeta u shpreh se përgjigjen ua jep duke treguar historinë e jetës së saj.
“Unë i them, i tregoj këtë pjesën time sepse unë sa herë përcjell njerëzit nga Shqipëria jam shumë e lumtur që nuk jam ajo që ik më se kam 5 vjet që jetoj këtu, jam tepër e lumtur dhe i tregoj që me të vërtetë nuk është fushë me lule se unë kam jetuar dhe në Japoni, edhe në Gjermani që janë vende të zhvilluara. Gjithashtu, kam parë dhe shumë shtete të tjera, secili ka problemet e veta, nuk ka ndonjë shtet pa probleme. Unë për vete, personalisht, lumturinë që kam gjetur në Shqipëri nuk e kam gjetur në asnjë shtet, se nuk është thjeshtë një gjë, janë shumë gjera që ty të bëjnë të lumtur.”, shtoi ajo.
Rama zbuloi se së fundmi kompania e Arjetës ka fituar një garë të Kombeve të Bashkuara në Serbi për 8 zjarrfikëse. Ai gjithashtu përmendi edhe idenë për të ndërtuar një makinë të markës shqiptare. “Mund ta prodhojmë. Mund të prodhojmë komplet mjetet tona, nga fillimi deri në fund.”, shtoi Arjeta.
Kryeministri Rama u shpreh se ai do të jetë 100% në dispozicion.
“Do të ishte nder shumë i madh nëse do të më shënoje në kompaninë tënde si hamall, pa pagesë. Domethënë gjithë vajzat me radhë dhe në fund hamall, Edi Rama. Për të mbartur peshën e mbështetjes dhe për të shtyrë përpara që Arjeta, nuk e di pse e imagjinova të kuqe, po e imagjinova të kuqe si një ‘’Neë Generation of Ferrari from the Balkans”, tha Rama.