Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi teksa sqaroi procedurën sesi do të votojnë emigrantët më 11 maj foli edhe për rëndësinë e këtij procesi, deri tek ndikimi në rezultatin përfundimtar.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Celibashi tha se edhe një votë e bën diferencën, ndërsa tha se vota e diasporës mund t’i japë pushtetin opozitës, ose mund të konfirmojë qeverinë.
Pyetje: Mendoni se kjo depozitë elektoralë mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor këtë herë, mund të jetë dexhizive?
Celibashi: Mund të ndikojë, edhe një votë e bën diferencën. Mund të konfirmojë atë që është në qeveri, ose mund t’i japë pushtetin e opozitës.
Celibashi po ashtu u shpreh se ka nisur konsultimi për zgjedhjen e operatorëve që do të merret me dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit, por se ende nuk është vendosur asgjë.
“Synojmë të zgjedhim një nga operatorët e mirënjohur ndërkombëtar. Kemi bërë disa konsulta me të gjithë ata që kanë përfaqësi në Shqipëri. Synuam të kuptojmë si zhvillohet procesi për të parë kohën dhe detajet teknike të dërgimit të fletës, kthimit pas, kostot etj. Jemi ende herët për përzgjedhjen aktualisht sepse nuk e dimë ende se sa do të jetë numri i atyre që do të regjistrohen. Pritet që kjo të nisë nga data 4 mars”, tha ai.