Mundësi shqiptar, Zelimkhan Abakarov fitoi sot pasdite medaljen e argjendtë në stilin e lirë të peshës 61 kilogramë, në Europianin e mundjes që po zhvillohet në Bukuresht.

Në finale, rusi i natyralizuar si shqiptar u mund 7-4 nga rusi Abasgadzhi Magomedov, por që garonte si neutral pasi Rusia është përjashtuar nga aktivitetet. Një duel i fortë dhe me rivalitet, ku të dy mundësit kërkuan suksesin në këtë finale, por në fund ishte Magomedov ai që triumfoi. Vendi i dytë për  Abakarov, që vari në qafë medaljen e argjendtë.

“Zelimkhan Abakarov nënkampion Europe në mundje.

Fantastike! Vazhdoni na bëni krenarë kampiona”, shkruan në një postim në rrjetin social kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Në ditën e parë, Abakarov mposhti 9-0 rivalin armen Mezhlum Mezhlumyan, duke e dominuar sfidën. Në çerekfinale, mundësi kuqezi triumfoi 7-5 ndaj gjeorgjianit Shota Phartenadze, në një sfidë të vështirë. Gjysmëfinalja foli për Abakarov që mundi 11-0 gjermanin Niklas Stechele./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re