Bashkimi Evropian ka rënë dakord me Norvegjinë, prodhuesin më të madh të gazit në Evropën Perëndimore, për të rritur furnizimet në mënyrë që të kompensojë mungesën e gazit rus për anëtarët e vet gjysma e të cilëve po përballen me ndërprerje në furnizimet nga Rusia.

Brukseli tha se 12 shtete anëtare po përballeshin me mungesa pasi Rusia reduktoi prurjet përmes gazsjellësit Nord Stream 1, duke përmendur vështirësitë teknike, më konkretisht se ajo nuk ishte furnizuar me një turbinë Siemens për tubacionin.

Moska ka ndaluar më parë furnizimin me gaz për Poloninë dhe Holandën, si dhe disa vende të tjera që kanë refuzuar të paguajnë në rubla sipas formulës së re të pagesës së Moskës.

Norvegjia dhe Komisioni Evropian do të “rrisin bashkëpunimin për të siguruar sasi shtesë” nga Norvegjia, tha deklarata pasi komisioneri i KE për Klimën, Frans Timmermans dhe ministrja norvegjeze e Energjisë, Terje Aasland u takuan në Bruksel.

Norvegjia ka rritur prodhimin e gazit për t’iu përgjigjur mungesave evropiane dhe pret rritje të shitjeve prej 8 përqind në 122 miliardë metra kub në vit.

Bashkimi Evropian mbulon një të pestën e nevojave të gazit nga Norvegjia, e cila është e vogël në krahasim me 40 për qind që importonte nga Rusia përpara agresionit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

Deklarata thekson se Norvegjia do të mbetet një “furnizues i madh” për Evropën pas vitit 2030. Ajo premton bashkëpunim në përdorimin e burimeve të rinovueshme dhe teknologjive të gjelbra.

Investimi në fusha të reja gazi ngre frikën se lufta në Ukrainë do të shënojë një kthim në të vjetrën, pavarësisht premtimeve nga shumë shtete për të hequr gradualisht karburantet fosile dhe për të kaluar në burime të rinovueshme për të shpëtuar planetin.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha javën e kaluar se investimet e reja në lëndët djegëse fosile ishin “zhgënjyese” për sa i përket ndikimit klimatik.

BE pret që kërkesa e saj totale për gaz të bjerë me 30 për qind deri në vitin 2030 për të përmbushur objektivat e saj klimatike dhe u bën thirrje vendeve anëtare të kalojnë në burimet e rinovueshme dhe të kursejnë energjinë për të zëvendësuar gazin rus.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re