
Për kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, problemi themelor i sistemit të drejtësisë mbetet mungesa e gjyqtarëve. Në një konferencë për mediat, ai theksoi se sistemi funksionon me 110 gjyqtarë më pak.
Kërkoi që të merren masa konkrete për të korrigjuar kuotat e pranimit në shkollën e magjistraturës, sepse sipas tij, parashikohet që nga kjo shkollë deri në vitin 2028, të dalin “jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”.
“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë përballë 417 të parashikuar, çka domethënë sistemi funksionon me 73.6% të kapacitetit të tij. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga shkolla e magjistraturës parashikohet që të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj.
Ky realitet dëshmon mungesë vizioni strategjik për hyrjet e reja në sistem. Të merren masa konkrete për korrigjimin e kuotave të pranimit në shkollat e magjistraturës. Në këtë atmosferë presioni strukturor, GJL ka garantuar funksionimin e sistemit përmes përgjegjësisë institucionale dhe punës intensive.
Kjo është sfida thelbësore e drejtësisë. Një sistem nuk mund të mbështetet në sakrifica individuale, pa politika për njerëzit pa investime në kapacitete njerëzore. Qytetari nuk pret justifikime por kërkon fuksionim të drejtë”, tha ai.
