Kryeministri Edi Rama ka prezantuar Olta Xhaçkën si ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme pasi u votua dhe u dekretua në Presidencë, duke thënë se ndihet i lehtësuar që ia ka kaluar asaj stafetën.
Rama thotë se mungesa e një ministri të jashtëm të dekretuar mund të stimulonte keqkuptime në familjen e OSBE-së dhe tani do të ketë një drejtues me funksion të plotë. Kryeministri nuk lë pas Cakajn duke thënë se do ti tregojë cilësitë e tij hap pas hapi dhe të dy bashkë do e këshillojnë Xhaçkën në punën e saj në krye të këtij dikasteri të rëndësishëm.
Edi Rama: Faleminderit për të gjithë vullnetin dhe përkushtimin në krye të kësaj detyre. Duke qenë i detyruar që ta kryej detyrën i vetmuar që në krye të herës si pasojë e një ngërci absurd, nuk ka nevojë të zgjatem sepse i takon të shkuarës, besoj se në këtë periudhë, detyrat dhe koha që ka kaluar ky institucion janë përballur me dinjitet, profesionalizëm e sukses. Për mua ka qenë një barrë e shtuar dhe në kushtet të tjera do të ishte krejt e panevojshme.
Nga detyrimi i pashmangshëm për ta përfaqësuar Shqipërinë edhe formalisht në kryesinë e OSBE-së dhe për të mos lejuar që për shkak të formalitetit, mungesa e një ministri të jashtëm të dekretuar të kthehej në mundësi për të krijuar apo stimuluar keqkuptime në familjen e madhe të OSBE, e mora këtë angazhim dhe jam shumë i lehtësuar sot që këtë mund t’ia kaloj Oltës dhe për të cilin më vjen mirë që kemi pasur një qasje të përbashkët me Gentin në kushtet kur në këtë fazë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nevojë që në krye të ketë një drejtues me funksion të plotë pasi nga sfida e kapërcyer, duhet të përgatisim dhe t’ia dalim deri në fund sfidës jo më pak të rëndësishme e të qenit pjesë e tryezës në Kombet e Bashkuara.
Kam bindjen se sic ia kanë dalë me sukses barrën dhe të tregojë hap pas hapi të gjitha cilësitë e tij të vecanta që kam bindjen se do të ketë kohën dhe mundësinë ti shpalosë në të ardhmen për këtë lidhje të pazgjidhshme me Shqipërinë dhe pasionin me politikën. E di që nuk është vetëm pasion i mbështetur në talentin politik, por edhe në një kulturë të gjerë dhe dije mbresëlënëse.
Më vjen mirë që stafeta sot i kalon Oltës dhe në punën e saj në krye të një dikasteri tjetër shumë të rëndësishme ku marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me aleatët dhe partnerët janë punë e përditshme, është në lartësinë e duhur për ta marrë këtë stafetë dhe për ta cuar para punën e këtij institucioni. Natyrisht që ky institucion ka bazë të kahershme, shumë solide, por sin ë cdo hapësirë të jetës së organizuar, institucionale apo shoqërore ka patjetër nevojë për të cuar jo vetëm punën e marrëdhënien me të tjerët, por edhe ripërtëritjen për të qenë vazhdimisht në lartësinë e kohës.
Edhe një herë, Gent shumë faleminderit, ne do vazhdojmë rrugën së bashku pavarësisht ndryshimit të pozicioneve dhe me eksperiencën që kemi bashkërisht, do të jemi një mbështetje e posacme për Oltën, e cila do të jetë drejtuesja e parë në ministrinë e jashtme që do të ketë mundësinë të jetë e këshilluar nga një dyshe si unë dhe Genti dhe që do ketë këshilltar të drejtpërdrejtë edhe kryeministrin, edhe paraardhësin.
/faxweb



