Vitamina B12 është e rëndësishme për shëndetin e sistemit tuaj nervor dhe rruazave të kuqe të gjakut. Mund të gjendet në shumë produkte shtazore dhe ushqime të fortifikuara.

Përse është e nevojshme vitamina B12?

Vitamina B12 është një vitaminë thelbësore, por trupi juaj nuk mund ta prodhojë. Ajo gjendet natyrshëm në shumë produkte shtazore.

Vitamina B12 është e nevojshme për shumë procese në trupin tuaj, duke përfshirë:

  • Ruajtjen e aftësisë tuaj për të menduar
  • Rregullimin dhe krijimin e ADN-së
  • Prodhimin e energjisë
  • Mbajtja shëndetshëm e trurit dhe sistemit nervor

Mëlçia juaj ruan vitaminë B12. Por nëse këto rezerva mbarojnë, mund të përjetoni simptoma negative shëndetësore.

Çfarë ndodh nëse keni mungesë të vitaminës B12?

Nivelet e ulëta të vitaminës B12 mund të shkaktojnë simptoma si:

  • Ndjesi shpimi gjilpërash në duar dhe këmbë
  • Vështirësi në ecje
  • Konfuzion dhe humbje të kujtesës
  • Depresioni dhe nervozizmi
  • Probleme me nuhatjen, shijen ose shikimin
  • Rrahje të çrregullta të zemrës
  • Lodhje
  • Dhimbje koke
  • Lëkurë të zbehtë
  • Humbje peshe
  • Glossitis (një gjuhë e dhimbshme, e lëmuar, e kuqe)

Është e rëndësishme të trajtohen nivelet e ulëta të vitaminës B12 për të parandaluar aneminë. Vitamina B12 lidhet me një lloj të veçantë anemie të njohur si anemi megaloblastike.

Cila është doza ditore e rekomanduar e vitaminës B12?

Për shumicën e të rriturve, marrja e rekomanduar ditore e vitaminës B12 është 2.4 mikrogramë (mcg).

Megjithatë, rekomandimi është pak më i lartë për gratë shtatzëna ose me gji, në 2.6 mcg në ditë. Dhe foshnjat deri në 6 muaj kanë nevojë për vetëm 0,4 mcg në ditë.

Vitamina B12 është e tretshme në ujë. Trupi juaj mund ta ruajë atë për 2-5 vjet dhe do të lëshojë çdo B12 shtesë në urinë.

Shumë njerëz mund të marrin mjaftueshëm vitaminë B12 nga ushqimet që konsumojnë çdo ditë. Por për shkak se vitamina B12 nuk është e pranishme në mënyrë natyrale në ushqimet me bazë bimore, veganët dhe vegjetarianët mund të kenë nevojë të konsumojnë ushqime që janë të fortifikuara me të.

Suplementet  janë gjithashtu një opsion për të ndihmuar në rritjen e nivelit të vitaminës B12. Nëse dieta juaj është e ulët në ushqime që përmbajnë vitaminë B12 ose trupi juaj nuk mund t’i tresë ato ushqime siç duhet, një profesionist i kujdesit shëndetësor mund të rekomandojë që të merrni një suplement oral çdo ditë.

Cilat janë burimet më të mira të vitaminës B12?

Ushqimet e pasura me vitaminë B12 përfshijnë:

  • Peshqit, si salmoni, molusqet dhe gocat e detit
  • Mish të kuq pa dhjamë dhe pulë
  • Drithëra të fortifikuara
  • Vezët
  • Produktet e qumështit si qumështi, djathi dhe kosi

Efektet anësore të vitaminës B12

Vitamina B12 zakonisht nuk konsiderohet toksike, madje edhe në nivele të larta. Por injeksionet e vitaminës B12 mund të shkaktojnë disa efekte anësore, të tilla si:

  • Dhimbje, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit
  • Nauze dhe të vjella
  • Marramendje
  • Dhimbje koke

Është e rëndësishme të informoni mjekun tuaj nëse keni efekte anësore serioze, të tilla si rrahjet e zemrës, pas një injeksioni të vitaminës B12.

 

Vitamina B12 është e rëndësishme për shëndetin e qelizave dhe sistemit nervor. Nivelet e ulëta të vitaminës B12 mund të shkaktojnë ndjesi shpimi gjilpërash në duar dhe këmbë, vështirësi me funksionin mendor dhe lodhje.

Ju mund të merrni më shumë vitaminë B12 duke konsumuar produkte shtazore dhe ushqime të fortifikuara. Nëse keni një nivel të ulët të vitaminës B12, një profesionist i kujdesit shëndetësor mund të rekomandojë injeksione ose suplemente orale./ Healthline

 

Gjithashtu mund të lexoni:

Shkaqet e mungesës së hekurit dhe tri mundësitë e trajtimit

Roli i magnezit në menopauzë: Çfarë duhet të dini

 

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re