Një grup prej 29 organizatash të fokusuara ndër të tjera te të drejtat e njeriut i janë drejtuar të mërkurën qeverisë shqiptare në një letër të hapur ku kërkojnë tërheqje të Shqipërisë nga marrëveshja me Italinë për refugjatët.

Në letër organizatat shprehin shqetësimin se protokolli, që parashikon përdorimin e territorit shqiptar për krijimin e zonave të destinuara për pritjen dhe mbajtjen e refugjatëve azilkërkues, rrit rrezikun e heqjes së padrejtë të lirisë dhe se është nënshkruar në mungesë të transparencës dhe në kundërshtim me legjislacionin e BE dhe po ashtu me Kartën Evropiane të të Drejtave Themelore.

“Duke patur në konsideratë të dhënat se Italia shqyrton kërkesat për azil në afate shumë të gjata (6 muaj deri në 1 vit), kjo mund të rezultojë në heqje të padrejtë të lirisë së lëvizjes për azilkërkuesit, duke cenuar parimin ndërkombëtar të “moskthimit të azilkërkuesit” me pasoja potencialisht ligjore për shtetin shqiptar”, thuhet në letrën e hapur.

Protokolli në fajalë u nënshkruan nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni disa ditë më parë. Marrëveshja u prezantua në publik vetëm gjatë nënshkrimit dhe u bë publike po ashtu pas këtij nënshkrimi. Organizatat që kanë firmosur letrën e hapur ngrenë shqetësimin për mungesën e transaprencës dhe konsultimit me publikun në arritjen e kësaj marrëveshje.

“Mungesa e transparencës apo e konsultimit publik të marrëveshjes, si dhe për të informuar zyrtarisht si institucionet më të larta të vendit (Presidentin dhe Kuvendin), institucionet vendore të përfshira, ashtu edhe komunitetin lokal dhe publikun e gjerë, përbëjnë një zhvillim shqetësues dhe devijim negativ nga praktika dhe standardet e vendeve demokratike, të cilat janë të detyrueshme për një vend si Shqipëria”, thuhet në letër.

Marrëveshja është kritikuar më herët nga organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si Amnesty International dhe po ashtu edhe nga Këshilli i Europës.

Duke iu referuar historisë së shqiptarëve me emigracionin organizatat i kanë kërkuar qeverisë të tërhiqet nga protokolli.  “Për sa më sipër, duke marrë parasysh kompleksitetin e imigracionit në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të detyrimeve ndërkombëtare mbi mbrojtjen e personave në nevojë (Konventa e Gjenevës e 28 korrikut 1951 dhe Protokolli i 31 janarit 1967) dhe duke shpresuar se historia e dhimbshme e emigracionit shqiptar të tre dekadave të fundit të shërbejë si mësim, kërkojmë tërheqjen e Shqipërisë nga ky protokoll”, thuhet në letër./BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re