Mungesa e tregut të shitjes dhe e subvencionimeve nga shteti ka bërë që prodhimet e tokave bujqësore në fshatrat Gajdë dhe Sheq-Gajdë në Urë të Kuçit, të mbeten “stok”.

Dy fshatrat që shtrihen në anë të rrugës nacionale Berat-Lushnje, në afërsi të qytetit të Lushnjës, njihen për prodhimet e perimeve, por këtë vit i gjithë prodhimi i tyre u hodh në kanalet përgjatë rrugës së fshatit ose u përdor si ushqim për bagëtitë.

Kjo situatë e rënduar i ka çuar fermerët drejt falimentimit dhe ka bërë që të rinjtë e zonës të largohen në emigrim për të siguruar jetesën.

Panorama që sheh sot në këto dy fshatra është tejet e zymtë: prodhime të hedhura ngado nëpër kanale dhe toka të pambjella sërish për shkak të pamundësisë financiare, ndërkohë që në çdo shtëpi kanë ngelur vetëm të moshuarit pasi të rinjtë kanë emigruar.

Fermerët shprehen se, për shkak të mungesës së tregut dhe ndihmës nga shteti, prodhimi u dëmtua e u hodh kanaleve.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=KLjnz6vdUTo]
“Nuk i mbjellim dot më serat dhe tokat bujqësore këtë vit sepse jemi të falimentuar, nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti. Bujqësia në Gajdë ka mbaruar, kanalet janë mbushur plot dhe ne s’kemi me se të jetojmë”, -shprehen ata.

Banorët deklarojnë se, në fshat tashmë kanë ngelur vetëm banorë nga mosha 50 vjeç e sipër, pasi për shkak të kushteve të vështira ekonomike të gjithë të rinjtë janë larguar në emigrim në shtet fqinje, për të punuar dhe për të ushqyer familjet e tyre./ BW

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re