Asnjë prind nuk duhet të përballet me këtë që po përjeton kjo nënë. Tre vite më parë djali i saj u sëmur dhe që nga ajo kohë, çdo ditë, çdo orë e çdo minutë për këtë nënë ka qenë një ferr i vërtetë. Djali i Flordës, Kristi 12 vjeçar, u diagnostifikua me një sëmundje të rëndë në kokë.

Florda tregoi për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” se kur e mësoi lajmin i ra e gjithë bota mbi kokë, ndërsa dita e saj më e rëndë ishte hera e parë kur i biri hyri në operim.

“Para tre vitesh djali i madh ishte sëmurë. E sollëm në spital e Kristi doli që ishte me tumor. E vendosën Kristin në operim e unë i bija murit me kokë, thoja o Zot a do më dalë djali… (qan)

Kam parë tmerr me Kristin, tmer… doktori më tha që nuk mund të jap shpresë, veçse 1% më tha, se 99% është i ikur, më tha përgatituni për çdo gjë… (qan me dënesë)”-rrëfen mes lotëve Florda.

9 ndërhyrje ka kryer Kristi. Së fundmi shëndeti i 12 vjeçarit është përkeqësuar dhe dita ditës situata për këtë vogëlush nga Durrësi sa vjen e bëhet më e errët. Florda qan me dënesë, kur na tregon se çohet përnatë, për të parë nëse i biri po merr frymë apo jo.

“Gjithë natën djali rri vetëm me dhimbje. Kur erret, nisin dhimbjet e këmbëve, veshkave… shumë e rëndë është, nuk ka më rëndë se kaq. Përnatë e shikoj Kristin a po merr frymë apo jo, mos i ka ndodhur ndonjë gjë.

Pa Kristin jeta ime nuk ka kuptim, çfarë kuptimi ka jeta ime pa të? (qan me dënesë)”-rrëfen nëna.

Familjes i kanë shpjeguar se me një kurim të specializuar jashtë Shqipërisë, Kristi do të mund të shërohet. Me lot në sy dhe me zërin që i dridhet prej vuajtjeve tre vjeçare, kjo nënë I drejtohet me përgjërim shqiptarëve… vetë familja nuk ka mundësi ekonomike të përballojë faturën e rëndë financiare prej 70 mijë eurosh.

“Më kanë dhënë shpresa se jashtë shtetit, djali ka shpresa jete. Trajtimi veçse është shumë i kushtueshëm, saqë unë nuk mund ta përballoj. Edhe për bukën që ha rri duke menduar… shpresa kam vetëm tek shqiptarët, tek Elvis Naçi… (qan) ju lutem, më ndihmoni çunin”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re