Kryetari i grupit demokrat Myslim Murrizi depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një padi për ndryshimet që u bënë në Kodin Penal nisur nga gjendja e krijuar nga koronavirusi.

Sipas deputetit, me miratimin e ndryshimeve në kod u shkel rregullorja e Kuvendit.

Deputeti thotë se pasi deputetët kishin votuar tjetër projekt dhe variant kodi dhe tjetër u shpall i miratuar në fund pas propozimeve të Presidentit.

“Do të depozitoj një padi në gjykatën Kushtetuese për ndryshimet e Kodit Penal të ardhur në seancë në datën 16 prill. Procedura e miratimit të ndryshimeve të kodit të procedurës penale është një procedurë flagrante në shkelje të rregullores së Kuvendit, çka do të thotë në shkelje të ligjeve të Kushtetutës të këtij vendi.

U habita si e dekretoi mbrojtësi i Kushtetutës, garanti i Kushtetutës, nuk po i them gardiani, ai e thotë vetë, atë lloj ndryshimi kur nenet u ndryshuan pasi kishte mbaruar votimi dhe pasi ishte votuar ligji në tërësi. Rregullorja e shpreh qartë që asnjë propozim nuk bëhet pasi ka filluar procedura e votimit. Mbasi ne kishim votuar tjetër projekt dhe variant kodi dhe tjetër u shpall i miratuar në fund. Kemi të kopsitur të gjithë procedurën e ndjekur hap pas hapi, kemi marrë edhe kasetën sa deputetë kanë qenë në Kuvend.

Dhe procedurën si ka ardhur kërkesa e presidentit në Kuvend po atë ditë por duhet 48 orë. Kam bërë të gjithë dokumentacionin gati në bazë të rregullores së Kuvend dhe po shkoj ta depozitoj në gjykatë Kushtetuese. Me këtë rast jo unë po shqiptarët të vërtetojnë edhe virgjërinë e Gjykatës Kushtetuese, sa e pa kapur e paprekur është nga lakejtë e çakejtë e politikës. Një pjesë betohen në buzë të Lanës një pjesë në floktore. Unë po shkoj ta dorëzoj” tha ai për mediat.

Por që Gjykata Kushtetuese të nisë shqyrtimin e padisë, duhet që kërkesa të bëhet nga 28 deputetë. Pa 28 firma, çështja nuk shqyrtohet.

“Të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për pajtueshmërinë e ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare e kanë: Presidenti i Republikës, Kryeministri, jo më pak se një e pesta e deputetëve dhe Avokati i Popullit.”, thuhet në Kushtetutë.