Skip to content

Musk, me një lajm për Kosovën

Miliarderi amerikan Elon Musk njoftoi të shtunën vonë se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, është funksional tani edhe në territorin e Kosovës, raporton REL.

Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, shkroi në X: “Starlink tani edhe në Kosovë”.

Kryeministri Kurti, tha pas kwtij lajmi se ardhja e Starlink-ut është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend.

“Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare”, shkroi ai në Facebook.

Në tetor, Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se e kishte autorizuar kompaninë amerikane Starlink për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.

Me Starlink-un Kosova do të përfitojë internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme.

Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.

Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla.

Starlink-u mori vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.

Vendimi i Musk-ut për të mbuluar Ukrainën me internet u konsiderur jetik për shumë operacione të ushtrisë ukrainase, por edhe për rimëkëmbje të infrastrukturës së energjisë dhe komunikimit, raportin REL.