Marlind Laçi

Duke marrë shkas nga fushata zgjedhore dhe gara për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Vetëm 16 ditë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve për të përcaktuar qeverinë dhe opozitën shqiptare për katër vitet e ardhshme. 25 prilli pritet të jetë një datë dhe ditë përcaktuese edhe për grupet lobuese të interesit politik. Abraham Lincoln ka pohuar se “Demokracia është qeverisja e popullit, nga populli për popullin ” dhe populli si nën-ndarje të tij ka komunitete dhe grupe interesi. Çdo grupimi i lind e drejta për të lobuar e për të mbështetur politika dhe politikanë që i ngjallin interes dhe janë në favorin e tyre politik, interesa të cilat përkthehen në “depërtim” dhe në aksesim politik. Një nga këto grupe interesi në vendin tonë është edhe një grupim politiko-kulturor tejet i gjerë, ku përfshihen muslimanët dhe të gjitha interesat, shqetësimet dhe problematikat e tyre politike. Duke qenë një grupim i madh dhe mbase edhe përcaktues (Kingmaker) në formimin e qeverisë, shpesh herë është përdorur apo keqpërdorur nga secili krah politik, ashtu siç pritet të ndodhë gjatë dhe pas numërimit të votave të 25 prillit.

Nëpër listat e partive politike bie në sy një pjesmarrje tepër minimale e besimtarëve praktikantë musliman në raport me numrin e tyre si grup interesi dhe si masë votuesish. Po të analizojmë të djathtën në pozicionin e opozitës, pjesmarrja e besimtarëve musliman të deklaruar publikisht si të tillë është tepër  qesharake në raport  me numrin gjithnjë e në rritje të islamofobëve dhe anti-muslimanëve brenda kësaj force politike. Emrat musliman në brendësi të këtij krahu politik,në plan të parë, u larguan nga listat fituese të qarqeve përkatëse (edhe pse disa prej tyre kishin një kontribut shumë të rëndësishëm gjatë tetë viteve opozitë). Ndërsa nga ana tjetër, pseudo-politikanë të sojit anti-kombëtarë dhe anti-islam u graduan e u kthyen në pararojë të një kryqëzate politike: njerëz pa asnjë kontribut në parti, njerëz që i fryjnë zjarrit të përçarjes dhe destabilitetit fetar, njerëz që flasin me gjuhën e urrejtjes ndaj religjonit të shumicës së shqiptarëve në Shqipërinë londineze, por edhe përtej kufinjve të saj. Të mbështjellë e të infektuar gjer në asht me virusin aq sa anti-islam, aq edhe anti-kombëtar. Fanatikët e ekstremistët e këtillë, zakonisht instanca të ndryshme në vendet e qytetëruara euro-perëndimore mundohen që t’i izolojnë mediatikisht dhe politikisht dhe jo t’i shpërblejnë me pushtet e me ofiqe.

Muslimanët u spostuan në numrat më inferiorë të listave si pasojë e lobimit të fortë të këtij lobi anti-kombëtar brenda Partisë Demokratike. Ndërsa përfaqësuesit e tyre u larguan nga listat dhe u vendos që ky grup interesi (në formë gjysëm propagande dhe gjysëm tallje elektorale) të përfaqësohet me emra anonim në jetën publike dhe në kontributin politik, edhe pse me simbolika të forta dhe të qarta fetare siç është simboli më identitar islam: mbulesa e grave.

Karshi të djathtës, e majta përfaqësimin e këtij grupi interesi e ka akoma në dozat më minimale. Si pasojë kjo e historikut të kësaj partie të njohur thellësisht si anti-islame, ku anti-islamizmi i saj daton që me krijimin më 8 nëntor 1941. Edhe pse vitet e fundit me fuqizimin e faktorit turk në Ballkan, por edhe me ndryshimin e diskursit të së majtës europiane drejt multi-kulturalizmit, ky krah politik i ka minimizuar deri diku këto qarqe e qasje. Partia socialiste nuk ka arritur që të përthithë muslimanë politikisht aktivë dhe mediatikisht të njohur dhe kjo, në gjykimin tim vjen si pasojë e një tradite të ndjekur prej vitesh, ku muslimanët shqiptar kanë qenë bastioni më i zjarrtë i rezistencës ndaj të majtës që dhe sot identifikohet me partinë që rrënoi xhamitë dhe pushkatoi, internoi, persekutoi e burgosi hoxhallarët dhe besimtarët.

Tentativa për të keqpërdorur simbolet islame për qëllime propagandistike dhe fushate zgjedhore duhet lexuar si tentativa e fundit e partive politike për të lajkatuar votën e besimtarëve. Në qoftë se këto parti do e kishin seriozisht luftën ndaj diskriminimit, fundamentalizmit dhe fashizmit kulturor nuk do i rreshtonin të tillë individë në listën me propabilitet të lartë fitues.
Vetëm Afrika e Jugut, Siria dhe Shqipëria në botën e qytetëruar njihen si vende prototipe të qeverisjes së pakicave. Diku pakicat etnike, diku pakicat politike e diku pakicat fetare i kanë kthyer këto tre vende në raste studimore dhe përjashtuese të demokracisë, e cila na fton për t’u qeverisur nga shumica. Fatkeqësia më e madhe në vendin tonë është se komuniteti musliman prej 75% të popullsisë e ka të pamundur imponimin politik, ca nga rrethanat dhe ca nga agresiviteti ekonomik e politiko-propagandistik të qarqeve islamofobe. Muslimanët shqiptar gëzojnë më pak të drejta politike se sa muslimanët në vendet e rajonit. Madje edhe më pak të drejta politike se në Serbi. Lirisht mund të themi se muslimanët shqiptar janë pakicë vendimarrëse dhe shumicë zgjedhëse.

Në qoftë se kandidatë musliman pa dallim partie e kanë objektiv përthithjen e votave të muslimanëve, atëherë nuk duhet të fshihen kurrsesi “prapa gishtit” duke ndjekur “ahengun e gajdeve” të kryetarëve, por duhet të flasin si muslimanë dhe të artikulojnë shqetësimet dhe nevojat e muslimanëve.

Pas 25 prillit çdo musliman dhe çdo muslimane duhet të meditojë mbi nevojat dhe interesat e tyre dhe të marri pjesë në jetën politike për të artikuluar veçanërisht këto problematika dhe përgjithësisht çdo problematikë që shqetëson komunitetet në tërësi. Njëkohësisht duhet të mendojnë për termat e të ardhmes së tyre të afërt dhe të largët, të aksioneve dhe planifikimeve politike, ku rritja e konkurencës dhe ofrimi i alternativës politike forcon dhe përmirëson demokracinë.

“Muslimanët që nuk interesohen për politikën do të qeverisen nga politikanë që nuk interesohen për muslimanët”

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re