Muslimanët në mbarë botën në fillim të kësaj jave kanë shënuar ditën e parë të Vitit të Ri Islam, të njohur si Viti i Ri “Hixhri”.

Kjo ditë përfaqëson udhëtimin e Profetit Muhammad (a.s.) nga Meka në Medine, i njohur po ashtu si al-Hijra (migrimi).

Në vitin 622 të kalendarit gregorian, gjatë muajit Muharrem, muajit të parë të kalendarit hënor musliman, Profeti Muhammad (a.s.) dhe shokët e tij u zhvendosën nga Meka në Medine në mënyrë që të shmangin persekutimin nga fiset e fuqishme që ishin idhujtarë dhe armiq të Islamit.

Edhe pse dita e parë e muajit ka një rëndësi të madhe, asnjë festim me shkallë të gjerë nuk është mbajtur në vendet me shumicë muslimane për ta përkujtuar këtë ditë. Shumë vende, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, e shënojnë këtë ditë me një festë kombëtare.

Muslimanët e konsiderojnë muajin Muharrem si një nga muajt më të shenjtë pas muajit të Ramazanit kur muslimanët agjërojnë, kryejnë namazin shtesë të taravisë dhe angazhohen në vetë-reflektim.

Në ditën e dhjetë të muajit, ka një ditë të rëndësishme të quajtur “Dita e Ashures”, e cila përkujton shumë ngjarje domethënëse, të tilla si falja e Profetit Adem nga Zoti, shpëtimi i Profetit Nuh dhe ulja e tij në tokë në mënyrë paqësore, si dhe mrekullia e Profetit Musa që ndau Detin e Kuq në dy pjesë dhe çoi në shpëtimin e tij dhe pasuesve të tij nga Faraoni.

Në të njëjtën ditë, muslimanët shiitë me disa rituale përkujtojnë martirizimin e Imam Al-Hussein-it, nipit të Profetit Muhammad (a.s.), në Luftën e Qerbelasë në vitin 680 të kalendarit gregorian. Në Iran mbahen tubime ngushëllimi Ta’zieh.

Ritualet e ngjashme në Azinë Jugore njihen si Marsiya, Noha dhe Tabut.

Muslimanët shiitë, veçanërisht ata në Afganistan, Bahrein, Indi, Irak, Liban dhe Pakistan, marrin pjesë në parada përkujtimore. Gjatë paradave, ata mblidhen në grupe të mëdha në rrugë duke marrë pjesë në rrahjen rituale të gjoksit.

Kalendari Islam ose kalendari i Hixhrit përbëhet nga 12 muaj dhe 354 ose 355 ditë. Ai është afërsisht 11 ditë më i shkurtër se kalendari gregorian. Bazohet në lëvizjen e hënës dhe si rezultat fillimi i çdo muaji përcaktohet kur gjysmëhëna e re bëhet e dukshme për herë të parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re