Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shprehet se qeveria e dalë nga zgjedhjet e reja, do të duhet ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

 

Sipas tij, taksat nuk hiqen dhe nuk do të hiqen lehtë pa pasur gjë në këmbim.

 

“Unë mendoj që duhet të vlerësohet mirë çështja e tarifave. Tani nuk është mbetur vetëm çështje ekonomike po është bërë edhe çështje politike karshi levës e kushtëzimit dhe mos kushtëzimit të dialogut. Unë mendoj që ato tarifa nuk mund të hiqen lehtë dhe nuk duhet të hiqen lehtë, sepse ne nuk mund të heqim tarifat përderisa kemi probleme të lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Sot qytetarët e Kosovës po presin nga katër orë ose pesë orë në kufij për shkak të masave që ka marr Serbia dhe trajtimit të padrejtë të kufizimit të lëvizjes, të masave jo tarifore që po i merr Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk ka bërë vërejtje edhe nuk ka bërë trysni te Serbia që të sillet ndryshe.”

 

I pyetur nga Zëri i Amerikës për zgjedhjet e parakohshme, Mustafa tha se do të donte që partia e tij të garonte e e vetme. Megjithatë ai nuk mohoi mundësinë e një koalicioni me ata që sipas tij, nuk i kanë bërë dëm Kosovës.

 

Mendoj që duhet të qeverisim me ata të cilët nuk i kanë bërë dëm këtij vendi sa i përket qeverisjes dhe me të cilët ndoshta edhe mund të kemi pak dallime programore por në çështje themelore do të mund të merremi vesh se si ato t’i drejtojmë, siç është çështja kundër krimit dhe korrupsionit dhe shteti ligjor, çështja e zhvillimit ekonomik, të rritjes së vendeve të punës, rritjes së investimeve të huaja dhe kjo nuk bëhet pa e luftuar krimin dhe korrupsionin, çështja e dialogut sepse edhe ky është një proces i cili bie barrë për qeverisjen e ardhshme dhe jo ekipeve siç tentuan ta bëj kjo qeveri dhe çështja e integrimeve evropiane dhe euroatlantike që janë tema shumë të rëndësishme, janë tema aktuale dhe për të cilat ne duhet të kemi garanci nga partnerët që ato do t’i çojmë përpara me përkrahje në rend të parë të SHBA-së si partnere strategjikë dhe të Bashkimit Evropian.

 

Mustafa theksoi se Ramush Haradinaj, pavarësisht se dha dorëheqjen, ai shkoi në Hagë jo si një njeri i zakonshëm, por si kryeministër i dorëhequr.

 

Ky hap  sipas kreut të LDK-së e ka futur vendin në krizë politike për shkak se kushtetuta nuk e parashikon një gjë të tillë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re