Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, i bëri thirrje njerëzimit së bashku të ecë drejt të ardhshmes kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
“Pasi virusi nuk i dallon njerëzit, ne kemi dhimbje dhe plagë të përbashkët. Kështu që duhet të shërojmë plagët, së bashku të ecim drejt të ardhmes pa lënë askënd prapa”, tha Şentop në takimin e 6-të të krerëve të parlamentit të vendeve anëtare të MIKTA-s.
MIKTA është themeluar në vitin 2013 dhe është partneritetit informal i përbërë nga Meksika, Indonezia, Koreja e Jugut, Turqia dhe Australia.
Şentop kujtoi se që nga shpërthimi i pandemisë Turqia ofroi ndihmë për pothuajse 160 vende dhe 9 organizata ndërkombëtare.
“Ne mund të mos jemi vendi më i pasur në botë, por jemi krenar që jemi populli më bujar në botë”, u shpreh kryeparlamentari turk.
Şentop u bëri thirrje parlamenteve botërore të mos heshtin për shpërthimin.
“Gjatë pandemisë u zbulua qartë se shëndeti dhe ekonomia nuk janë konkurrues, por plotësues të njëri-tjetrit. Po ashtu është e qartë se parlamenti, i cili luan një rol të rëndësishëm në shëndetësi ashtu si edhe politikën e ekonomisë, nuk mund të mbetet spektator i këtij procesi”, tha ai.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e vitit të kaluar në Wuhan të Kinës, sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, në mbarë botën pandemia COVID-19 ka marrë mbi 1,63 milionë jetë njerëzish. Deri më tani janë raportuar mbi 73,61 milionë raste të konfirmuara në të gjithë globin, prej të cilëve mbi 41 milionë janë shëruar.
Për sa i përket numrit të të infektuarve, SHBA, India dhe Brazili mbeten vendet më të prekura nga virusi, ndërkohë Evropa është mbërthyer nga një valë shkatërruese e dytë e infeksioneve.
Kreu i parlamentit turk po ashtu foli edhe për çështjen e refugjatëve, duke theksuar se vendi i tij i cili “për 6 vitet e fundit ka strehuar numrin më të lartë të refugjatëve në botë”, aktualisht strehon pothuajse 4 milionë sirianë.
“Që nga fillimi i shpërthimit, sirianët nën mbrojtjen tonë mund të përfitojnë nga shërbimet shëndetësore në vendin tonë mbi një bazë të barabartë me qytetarët tanë”, theksoi Şentop.
