Anëtari i Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave në PD, Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka pranuar se një pjesë e listave të 2017 të partisë së tij kanë rënë.

Kjo u pa qartazi në Korçë me Balliun dhe Hoxhallin, por Mustafaj pranon se edhe në qarqe të tjera ka pasur mospëlqim për kandidatët e 2017, si dhe vijon duke thënë se edhe të tjerë do të hiqen nga faza e tretë e vlerësimit në PD.

Pas anëtarësisë, tashmë është sërish radha e Komisionit të Vlerësimit në PD që të bëjë sipas tij një ‘’krehje të vogël’’ për të dalë me 350 të përzgjedhurit përfundimtare.

Mustafaj thekson qartazi se faza e tretë nuk ndikohet nga votimi që i ka bërë anëtarësia e PD në çdo degë të Shqipërisë çdo kandidati, pasi sipas tij kandidatët kanë përplasjet e tyre dhe këto janë procese demokratike si në SHBA.

Sipas Mustafajt, vlerësimi në fazën e tretë do të jetë nga vetë gjykimi i anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit dhe kandidatët mjafton që të kenë arritur pranueshmërinë nga anëtarësia e PD në fazën dy.

”Ka pasur në shumë qarqe skualifikime. Anëtarësia e PD po bën një proces demokratik përderisa ka vota pozitive dhe negative.

Një pjesë e 2017 ka rënë, disa prej të zgjedhurve atëhere janë skualifikuar. Kemi një fazë të tretë, do jenë 350 të përzgjedhur, ne do bëjmë një krehje të vogël dhe këta do i nënshtrohen një gjykim tjetër. Edhe ne përtej votimit që i kemi si bërë si Komision do i skualifikojmë. S’do vlerësohet kandidati nga votimi i anëtarësisë, por në gjykimin tonë.

Kandidatët mund të kenë pasur kundërshtimet me njërin apo tjetrin, por jo në masën që të skualifikohesh, janë pjesë e demokracisë. Do nisemi nga vlerësimi ynë.

Përplasje në degët e PD ka pasur vetëm në Devoll. Luftë për pushtet është, bën mirë. I angazhon njerëzit, i ballafaqon për ata që marrin poste, i ballafaqon me komunitetin. Në këtë kuptim i bën mirë.

Kjo ishte hera e parë në Shqipëri e një procesi të tillë. Eksperiment i suksesshëm ishte. E zhvillojnë partitë popullore europiane. Kjo lloj eksperience, ky edukim të thellohet tek ajo që ndodh në SHBA. Në fillim debatet e brendshme janë aq të forta, por pastaj kur fiton njëri bashkohen të gjitha.”- tha Mustafaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re