Muzeu i Pavarësisë në Vlorë ka regjistruar një numër më të lartë vizitorësh përgjatë këtij viti, ku vetëm në muajin maj kanë qenë mbi 3500. Pjesa më e madhe e vizitorëve janë të huaj të apasionuar pas historisë së Shqipërisë.
Muzeu i Pavarësisë në Vlorë është një ndër pikat më të vizituara të qytetit bregdetar, ku vit pas viti numri i personave që duan të njohin historinë e vendit tonë vjen duke u rritur. Sa i përket 2025-ës shifrat janë pozitive, sidomos përgjatë muajit maj.
“Numri i vizitorëve këtu në Muzeun Kombëtar Pavarësia Vlorë është rritur ndjeshëm e duket jashtë mase duke filluar që nga janari, shkurti, marsi dhe maji. Tani që ne kemi mbyllur statistikat në maj 3501 vizitorë. Duket një shifër kolosale kjo dhe falë promocionit që ne i kemi bërë muzeut nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që zhvillojmë”, thotë Kozeta Halili, drejtoreshë e muzeut.
Shifrat kanë një përmirësim të ndjeshëm nga viti në vit.
Historinë e shtetit shqiptar dëshirojnë ta mësojnë edhe të huajt, të cilët përbëjnë numrin më të lartë të vizitorëve.
“Është një shifër e kënaqshme, nga janari deri në maj numri i vizitorëve është 6450 vizitorë, ku 70% e tyre janë të huaj. Këtu kemi ata që vijnë nga vendet nordike, kemi nga Italia, Gjermania, Spanja, por dhe shqiptarët që jetojnë në trevat e Kosovës, Maqedonisë, Preshevës, të cilët studentët vijnë dhe nxënësit e shkollave të mesme se kanë dhe ata orët mësimore, edukimin nëpërmjet kulturës, për të parë traditat, vendin, kulturën”, shprehet Halili.
Përgjatë verës, muzeu do të qëndrojë i hapur me orar të shtuar në mënyrë që të jetë sa më i aksesueshëm nga vizitorët.