Muzika dhe përpunimi i drurit e kanë shoqëruar gjithë jetën. Gani Çepi nga fshati Vulçan i Librazhdit ishte 13 vjeç kur zbuloi këto dy pasione tek vetja.
“Që në moshën 13 vjeçare më dërguan në një kurs muzike dhe pa shkëputej në punë. Më vonë u futa në shtëpinë e kulturës. Që atëherë nuk iu ndava këtij aktiviteti së bashku me punimin e drurit. Bashkë me muzikën isha shumë i pasionuar edhe pas drurit.”, thotë ai.
Prej 45 vitesh ai ushtron mjeshtërinë e gdhendjes së drurit. Para viteve 90 punoi si muzikant në aktivitete të ndryshme kulturore. Sot veglat muzikore që i punon me dru i ruan në shtëpi.
“Gjithë jetën kam që merrem me firzamonikë, çifteli.”, shton ai.
Bolierë, enë kuzhine dhe suveniret dhe veglat muzikore janë disa prej punimeve të tij. Vend të veçantë zënë ato me simbolet kombëtare.
“Vazot e verës, uiskit, konjakut. I punojmë në mënyra të ndryshme. Kam pasur sukses me punën.”, thotë ai.
I gjithë sekreti qëndron tek lloji i drurit.
“Për të dhënë shijen pijes së uiskut për stazhionimin e drurit duhet mbi 6 –muaj për t’u punuar pasi duhet të thahet në hije”, shton Çepi.
Punishtes së tij i ka shtuar edhe një mulli.
“Mullirin e kam ndërtuar fillimisht për nevojat e mia. Më pas vjen edhe fshati. është mulli me gurë. E kam ndërtuar siç përdorej dikur. Është me leverdi për gjithë fshatin.”, thekson Çepi.
Ganiu nuk preferoi të emigrojë asnjëherë. Thotë se është i lumtur që zanatin e tij ia ka trashëguar edhe djalit të tij.
“Ia ka marrë dorën djali dhe nuk ka ikur në emigracion. Jam shumë I kënaqur për këtë. Kam pasur kërkesa për të ikur edhe unë jashtë. Por më pëlqen vendi im. Guri i rëndë në vend të vet.’
Ai ka marrë pjesë në panaire të ndryshme, ndërsa për punën e tij është vlerësuar me çertifikata mirënjohjeje.
