Myftiu i Lezhës Agim Terziu i kërkoi ambasadores së BE-së, Romana Vllahutin që Brukseli të lejojë kthimin e dënimit me vdekje në Shqipëri.

Kërkesa e rrallë u bë gjatë Forumit Publik të ministrit Xhafaj në qytetin verior, ku e pranishme ishte dhe znj. Vllahutin.

“Duke përfituar nga rasti që kemi dhe Vlahutin sot dua ti jap një sugjerim mjaft të rëndësishëm lidhur me integrimin e Shqipërisë. Sa i takon dënimit me vdekje, akoma e ndjej atë dhimbjen e familjes Buci në Kamëz dhe dhimbjen e babait të atij djalit që u bë vrasës. Shqipëria është një rast i veçantë dhe në komunitetin europian duhet të pranohet si rast i veçantë, duke bërë këtë lëshim. Nëse rikthehet dënimi me vdekje do të zgjidhë dhe shumë plagë sociale që kanë mbërthyer vendin prej më shumë se dy dekadash, këtë kisha unë si sugjerim. Nëse ju jepni dritën jeshile, ne si komunitet mysliman dhe OJQ-të do të lobojmë tek parlamenti që kjo të kalojë. Por nëse jepet drita jeshile prej jush”, tha kleriku musliman.

Por diplomatja europiane nuk ka qenë krah myftiut, duke dhënë shpjegimin e saj.

“Ky është një sugjerim që bëhet, por duhet të dini se ka disa vlera themelore që do të thotë, jeta e çdo njeriu duhet mbrojtur. Ka një shtet të së drejtës për të cilin ne po përpiqemi shumë të ndihmojmë që të funksionojë. Është diçka për të cilin ne po punojmë fort që ju ta shihni se është i pranishëm, që ju ti besoni këtij shteti të së drejtës por në asnjë mënyrë nuk ka asnjë rast ‘sui generis’ që të mund të pranohet dhe dënimi me vdekje është diçka që nuk pranohet nga BE”, tha znj. Vllahutin.

Dënimi me vdekje në Shqipëri u hoq në vitin 1995, pas anëtarësimin në KE.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re