5 ditë pas vendimit të këshillit të ministrave për shpronësimin e pronarëve të Sarajëve në qendër të Tiranës, dhjetra punonjës policie mbërritën mbrëmjen e djeshme pranë godinës, duke i vendosur asaj shiritin. Bashkia e Tiranës pretendon tashmë se është ajo administratorja e kësaj godine, ndërkohë që pronarët nuk janë dakord me dëmshpërblimin që iu është dhënë.

Janë në total 28 bashkëpronarë të kësaj godine, që kërkojnë që të diskutohet dhe njëherë tjetër me ta. Dy përfaqësuese të familjes Kazazi dhe Kosova duke folur për Fax News kanë thënë se janë pronarë që në vitin 1943 dhe do të ndjekin të gjitha hapar ligjor për të gjetur drejtësi.

“Na thanë që kishin një urdhër për mirëmbajtje dhe pastrim, ne ishim nëpër shtëpitë tona kur na njoftuan që këtu kishte një numër të madh punonjësish policie. Edhe sot kemi ardhur për të parë se çfarë bëhet, pasi ne kemi marrë një rrugë ligjore.

Nuk e besoj se nuk e kemi të drejtën të shkojmë në Strasburg, unë edhe dje kam kërkuar që organet të ulen dhe të diskutojnë me ne. Edhe ata thonë që kjo pronë ka vlerë të madhe, 1.7 milionë e kanë vlerësuar të gjithë pronën për secilin.

Njëherë e përgjithmonë ta heqin fjalën Sarajet e Toptanëve, jemi pronarë që në 1943. Ne kemi dhënë të gjitha adresat dhe numrat e telefonave, nuk ma ha mendja që Ismail Kadarenë që ia bënë shtëpinë muze nuk i kanë dhënë dëmshpërblim”, tha një prej përfaqësuesve të familjes Kazazi.

Edhe sot në hyrje të godinës gjenden punonjës të policisë bashkiake që nuk lejojnë që në ndërtesë të futen pronarët e saj.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re