Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot një deklaratë të Edi Palokës, i cili është shprehur se “i është kërkuar që të rrokin armët”.

Në një konferencë për gazetarët, Berisha u shpreh se kryengritja është paqësore, por nuk do të ketë kthim dhe cdo mjet i mosbindjes civile do jetë në fushë.

“Kryengritja është paqësore, por cdo mjet i mosbindjes civile do jetë në fushë. Mosbindja civile do organizohet cdo kohë e më shumë. Kjo është lëvizje pa kthim. Ne meritojmë të fitojmë, sepse po mbrojmë parimet e demokracisë”, tha ish kryeministri.

Berisha tha gjithshtu se “Beteja në parlament do të shoqërohet nga një mbështetje e fuqishme popullore”, duke theksuar se “Këto protesta nuk do ndalen më nga asnjë masë”.

“Asgjë nuk ndryshon kjo nga strategjia e mëparshme. Ne kemi nisur betejën në parlament, por e kemi nisur me vendosmërinë më të fortë. Kur kemi nisur betejën në parlament, ne natyrisht kemi vetëdije se çfarë përfaqëson grupi parlamentar. Nuk ka dyshim se ajo do shoqërohet nga një mbështetje e fuqishme popullore. Por një gjë do jetë, këto protesta nuk do ndalen më nga asnjë masë që mund të marrë Edi Rama. Të bëjë çfarë të dojë, ne e morëm këtë vendim, pasi ai dëshmoi se kundër demokracisë, është i aftë të bëjë gjithçka. Edhe me ato vota të cunguara që morëm, të njerëzve idealistë që nuk u trembën dhe nuk i shitën, Edi Rama i zhvlerësoi totalisht deputetët në parlament. Ai kaloi në ekstrem, ai kaloi çdo vijë të kuqe. Ne do i përgjigjemi, do i përgjigjemi, do i përgjigjemi. Unë ua kam thënë edhe para se të ndodhte kjo”,tha nder te tjera Sali Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re