Vijon situata e rënduar e shtetasve shqiptarë të mbetur në tokën neutrale mes Greqisë e Shqipërisë.

Në një lidhje telefonike me News24, një emigrant shqiptar tha se ndodhet në këtë zonë që ditën e premte dhe nuk i lejojnë të hyjnë, ndërkohë që mes tyre kanë dhe të sëmurë.

Ai tha se duan të kthehen pranë familjeve të tyre në këtë situatë të pandemisë së COVID-19, ndërsa shtoi se gjysmë ore më para nga ana e doganës shqiptare iu janë marrë emrat dhe tashmë janë në pritje.

“Që ditën e premte kemi ngelur në kufirin Greqi-Shqipëri. Jemi emigrantë, me letra greke, kthehemi për arsye familjare. Iu kemi thënë se çfarë problemesh kemi por thonë se kemi urdhër që të mos iu lëmë të hyni. Vetëm ata që marrin urdhër nga Ministria e Jashtme. Ka dhe të sëmurë. Është një 60-vjeçar mes nesh me probleme shëndetësore, kemi njoftuar ambulancën dhe nuk ka ardhur. Para 30 minutash punonjësit na kanë marrë emrat, po presim”, u shpreh Mhill Steaj në Kapshtica.

Ai tha se kanë ndezur zjarre për t’u ngrohur pasi moti ka qenë i ftohtë me shi e borë dhe se ushqimi mungon duke e vështirësuar më shumë gjendjen e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re