Të gjithë pasagjerët që do të udhëtonin mesditën e sotme në drejtim të Dubait, po udhëtojnë me autobusë drejt Podgoricës, për shkak të pezullimit të fluturimeve komerciale nga Rinasi.

Gazetarja e Fax News Sara Demushi ka pyetur disa prej qytetarëve, të cilët thonë se agjensia i ka njoftuar për ndryshimin e vendit nga ku do të niseshin, pra jo nga Rinasi por nga Podgorica.

“Në Dubai, punonjësit e Rinasit na thanë që do të niseshim me autobusë drejt Podgoricës”, shprehet një prej qytetareve, ndërkohë që një tjetër thotë se punonjësit i kanë njoftuar edhe për një vonesë me të cilën mund të përballen gjatë nisjes nga Mali i Zi.

Shumë prej qytetarëve që kanë qenë sot në Rinas, janë të shqetësuar dhe mbi afatin e testit të Covid që kanë kryer, pasi disa shtete e kanë kusht që ai të jetë kryer jo më larg se 72 orë nga momenti i fluturimit.

Derimë tani nga Rinasi nuk është kryer asnjë udhëtim për pasagjerët, edhe pse qeveria ka thënë se e ka kthyer në punë kullën e vrojtimit, me persona që burimet bëjnë me dije se kanë ardhur nga Turqia.

3 prej kontrollorëve shqiptarë të Albcontroll, u arrestuan sot me pretendimin se kanë shpërdoruar detyrën, ndërkohë që pjesë tjetër e kolegëve të tyre, kanë shpallur paaftësinë e përkohshme të punës, por nuk kanë pranuar që kjo të cilësohet si një grevë.

(E.K/Faxweb.al)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re