Persona të panjohur kanë thyer xhamat e klubit bullgar “Tsaros Voris III” në Ohër. Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit.

Klubi bullgar “Car Boris III” në Ohër u inaugurua në fillim të tetorit të kaluar dhe kishte nxitur protesta të forta nga popullata vendase, kryesisht për shkak të emrit që mban, por edhe nga komuniteti hebre i Maqedonisë së Veriut.

Një incident i ngjashëm ka ndodhur në qytetin e Manastirit qershorin e kaluar, me rastin e funksionimit të qendrës kulturore bullgare “Ivan Mihailov”, kur një këngëtar i njohur nga Maqedonia e Veriut i vuri flakën derës metalike të hyrjes së saj.

Reagim i fortë nga Sofja

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë dënoi ashpër incidentin me dëmtimin e klubit bullgar “Car Boris III” në Ohër.

“Veprime të tilla pengojnë qëllimisht përpjekjet për vendosjen e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit si parime bazë në marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë thekson se emrat e klubeve bullgare në Maqedoninë e Veriut nuk janë arsye për kryerjen e veprimeve të tilla, ndërsa thekson se “lideri i partisë më të madhe opozitare në Shkup (Christian Mickoski i VMRO-DPMNE) kërkon tashmë haptazi mbylljen e menjëhershme e klubeve bullgare vetëm pse janë bullgare, pavarësisht se si quhen.”

“Ne jemi të bindur se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të reagojë me kohë dhe në mënyrë të duhur për atë që ka ndodhur. Reagimi i autoriteteve ndaj këtij incidenti dhe ndaj veprimeve të tjera intolerante do të jetë tregues i seriozitetit që qeveria e Shkupit i kushton ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe procesit të anëtarësimit në BE”, thuhet më tej në deklaratën e MPJ-së bullgare.

Kush ishte Car Boris III

Boris III (1894 – 1943) ishte Cari (Mbreti) i parafundit i Bullgarisë.

Kur Adolf Hitleri erdhi në pushtet, ai u përpoq të fitonte besnikërinë e mbretit të Bullgarisë, Boris III.

Në mars të vitit 1941, Boris III u bashkua me fuqitë e Boshtit, duke pushtuar kështu pjesën më të madhe të Maqedonisë dhe Trakisë së Egjeut. Pavarësisht nga kjo aleancë, ai refuzoi të dëbonte 50,000 hebrenjtë e Bullgarisë në kampet e përqendrimit. Ndërsa shumica e hebrenjve në Bullgari u shpëtuan, 11,343 hebrenj maqedonas të Vardarit dhe Thrakisë u deportuan dhe u shfarosën në kampet e vdekjes në Treblinka dhe Majdanek. Prej tyre, 7,144 ishin hebrenj nga ajo që tani është Maqedonia e Veriut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re