2 prill/ATSH-Maela Marini/ Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Beratit, Nasip Naço, më parë pjesë e strukturave të LSI-së, deklaroi se “ne sot jemi të gjithë bashkë që t’ia kthejmë atë borxh që kemi me PS-në për të marrë mandatin e 5-të në Berat”.

“Ju falënderoj Ju dhe kryesinë e PS-së që më pranuat në gjirin tuaj. Nga sot në takon mua bashkë me kolegët e miqtë e mi, të japim maksimumin për PS-në. Sigurisht që unë me kolegët e mi të djeshëm i kemi një borxh PS-së, sepse prej vitesh i kemi hequr vota. Ne sot jemi të gjithë bashkë dhe t’ia kthejmë atë borxh që kemi me PS-në për të marrë mandatin e 5-të”, tha Naço në një takim elektoral në Berat, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Naço tha se “këtu fillon dhe puna ime dhe bashkëpunimi me të gjithë kolegët, por edhe me të gjithë qytetarët e Beratit”.

“Ju e keni parë të gjithë që Berati është kthyer në kantier ndërtimi. Unë kam bërë një marrëveshje me Kryeministrin që do të pranoja të isha pjesë e skuadrës, nëse do të pranonte të dyfishonte investimet për qarkun e Beratit. Dhe unë i besoj Kryeministrit se do ta mbajë fjalën, sepse Berati e ka mbështetur të majtën dhe do ta mbështesë. Ne do të jemi lokomotiva në gjithë Shqipërinë për t’i dhënë mandatin e tretë PS-së për të qeverisur vendin. Faleminderit që më keni pranuar! Unë do të jem një nga ju dhe bashkë ne do t’ia dalim, se kemi Kryeministrin që ka vizion, që e ka treguar në tërë këto vite, por kryesorja, do të punojmë në grup dhe të gjithë bashkë do të kemi një fitore spektakolare”, tha Naço.

/r.e/j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re