Vijon shpërndarja e kartave të naftës falas për fermerët në të gjithë vendin, nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2023.

 

“Deri më tani janë 19,412 fermerë përfitues, të cilët janë pajisur me kartën e naftës për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, për një sasi prej 4,138,198 litrash naftë”, njoftoi Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

 

Nëpërmjet kësaj mase, e cila ka për qëllim uljen e kostove, fermerët përfitojnë mesatarisht 70-100 L naftë falas për çdo hektar tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore.

 

AZHBR njofton se, nga verifikimet në terren deri tani, nga skema e naftës pa taksa kanë përfituar  19 412  fermerë të cilët e kanë vendosur në përdorim për mbjelljen e 72 mijë hektarëve me kultura të ndryshme bujqësore.

 

Sipas AZHBR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare është tejet i lartë dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre.

 

Skema e mbështetjes për naftë falas vijon për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekë.

 

Sasia e naftës së përcaktuar mund të tërhiqet deri në datën 31 dhjetor 2023.

 

Qeveria po zbaton prej tre vitesh skemën mbështetëse të naftës pa taksa për bujqësinë, duke lehtësuar buxhetet e fermerëve në punët e bujqësisë.

 

Buxheti adresuar kësaj skeme ka ardhur në rritje, teksa është rritur edhe interesi i fermerëve për të përfituar nga kjo masë.

 

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krahasuar me vitin 2021, këtë vit numri i aplikantëve në skemën e naftës pa taksa për bujqësinë është rritur në 50 mijë nga 20 mijë aplikantë që ishin një vit më parë. Teksa është dyfishuar apo trefishuar edhe buxheti për naftën për bujqësinë dhe sipërfaqja e tokës së punuar me mekanikë bujqësore.

 

Kjo skemë po vazhdon zbatimin me sukses dhe sot është nevojë shumë e madhe duke parë dhe rritjen e çmimit të naftës në treg. Skema e naftës pa taksa për fermerin lehtëson kostot e prodhimit, teksa synon mbështetjen e prodhimit vendas bujqësor.

 

Ekspertët e vlerësojnë skemën e naftës si mbështetjen më të madhe që i është dhënë ndonjëherë fermerëve nëpërmjet skemës kombëtare.

 

Aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë dhe naftës falas nisën më 20 Mars dhe përfunduan më 11 prill, teksa autoritetet po vijojnë me shpejtësi procesin e verifikimit në terren dhe shpërndarjen e kartave për naftës pa taksa për fermerët.

 

Këtë vit mbështetja për fermerët u zgjerua në  9 masave, nga 5 masa mbështetëse që u zbatuan në 2022.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re