Negociatat midis përfaqësuesve të 27 shteteve të Bashkimit Evropian do të vazhdojnë në fillim të kësaj jave, me qëllim heqjen e pengesave për një marrëveshje për një embargo të propozuar evropiane ndaj naftës ruse, e cila po ngadalëson disa vende anëtare, veçanërisht Hungarinë, thanë burimet diplomatike.

Ambasadorët e 27 vendeve anëtare janë takuar në Bruksel të dielën, por ende nuk kanë arritur të bien dakord për zbatimin e paketës së gjashtë të sanksioneve kundër Moskës, e cila u prezantua nga Komisioni Evropian të mërkurën.

Ky projekt parashikon vendosjen e një embargoje për importin e naftës bruto ruse brenda gjashtë muajve dhe për derivatet deri në fund të vitit 2022.

Viktor Orban mprehu retorikën e tij

“Kontaktet në të gjitha nivelet do të vazhdojnë në fillim të javës. Qëllimi ynë është të arrijmë një marrëveshje të plotë për këtë paketë të gjashtë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha diplomati evropian.

Këshilli i BE-së është “i bashkuar për nevojën për të miratuar” masa dhe është bërë përparim shumë domethënës në shumicën e tyre, tha ai.

Por kryeministri hungarez Viktor Orban, vendi i të cilit është shumë i varur nga Rusia për furnizimet me energji, mprehu retorikën e tij të premten, duke thënë se propozimi i Brukselit “minon” unitetin e BE-së.

Miratimi i sanksioneve kërkon një vendim unanim të të 27 anëtarëve të Unionit.

“Nuk ka asnjë bllokadë politike, por është e nevojshme të garantohen burime alternative të furnizimit me energji për vendet pa dalje në det që varen nga nafta ruse përmes tubacioneve, dhe kjo nuk është e lehtë të arrihet,” tha një diplomat i paidentifikuar për AFP.

“Këto janë infrastruktura të reja dhe ndryshime në teknologji që kërkojnë jo vetëm financime evropiane, por edhe një marrëveshje mes shteteve anëtare. Tani për tani po përparojmë gradualisht, por na duhet kohë”, shtoi ai.

Përjashtim për Hungarinë dhe Sllovakinë

Një përjashtim prej një viti ishte planifikuar për Hungarinë dhe Sllovakinë, deri në fund të vitit 2023, por u konsiderua i pamjaftueshëm.

Në versionin e ri të draftit, i cili u diskutua të premten, është shtyrë deri në fund të vitit 2024 dhe të njëjtën mundësi ka edhe Republika Çeke.

Synimi i evropianëve ishte fillimisht futja e paketës së gjashtë të sanksioneve deri në festimin e 72-të të Ditës së Evropës më 9 maj, datë që festohet në Rusi si Dita e Fitores ndaj Gjermanisë naziste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re