Tregu i karburanteve dhe jo vetëm, ndodhet në presionin e rritjes së mëtejshme të çmimeve, si pasojë e konfliktit Rusi-Ukrainë, por në vendin tonë shtrenjtimi i naftës dhe benzinës ka kaluar çdo logjikë ekonomike.

 

Për këtë situatë përgjegjëse është qeveria, e cila ndër vite ka dështuar të ofrojë një treg me rregulla të qarta loje. Ish-kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, në një intervistë për Vizion Plus thotë se tregjet tona janë të përqendruara.

 

“Të gjitha tregjet paraqesin shkallë të lartë të përqendrimit në tërësi. Prandaj duhet të tregohet kujdes për të parë se kush janë ato instrumenta që do të krijonin më shumë mundësi konkurrence.”

 

Për tregun e karburanteve, ky autoritet vite më parë ka bërë rekomandime për përmirësimin e tij, por ato janë injoruar.

 

“Kjo situatë është pasojë e mosndërhyrjes për të patur tregje sa më të lira me një konkurrencë të caktuar. Në atë periudhë kohore shikonim një tendencë në rritje të shkallës së përqendrimit të importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve dhe i propozuam qeverisë të shikonte modelin e tregut, që të fasilitonte sa më shumë konkurrencë dhe sidomos kur kemi të bëjmë me tregje të ndërvarura, pronësia e përbashkët krijon mundësi të rritjes së normës së fitimit për operatorin.”

 

Sa herë tregu përfshihet nga pasiguritë, sjellja e firmave është drejt fitimeve të sigurta. Ndaj edhe sektori i hidrokarbureve në vend është duke reflektuar këtë tendencë. Por rritja me 40 lekë për litër brenda 48 orëve në të gjithë operatorët njëkohësisht është një fenomen i cili vërehet vetëm në tregun tonë.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re