Nga java e ardhshme, do të nisë shpërndarja e kartave të naftës për fermerët që përfitojnë nga fondi prej 1.8 miliardë lekësh, i rialokuar në tetor nga qeveria për nevojat e bujqësisë.

 

Përfitues do të jenë rreth 18 mijë fermerë, të cilët kishin aplikuar në Skemën Kombëtare të Mbështetjes, por nuk morën kartën e naftës prej mungesës së fondeve.

 

Aktualisht, zyrat e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural po kryejnë verifikimin e dokumentacionit për ta.

 

 

VULLNET GJOLLA

DREJTOR, DREJTORIA RAJONALE E BUJQESISE, KORÇE

“Ne jemi në kontroll administrativ të dokumentacionit, jemi në përfundim të tij. Sapo të përfundojë kontrolli administrativ për të gjithë dokumentacionin, të gjithë fermerët do të marrin kartat e naftës. Aplikimet janë mbyllur, kanë të drejtë të paraqesin dokumente shtesë vetëm ata që e kanë bërë aplikimin. Ne, gjatë kontrollit administrativ në terren, njoftojmë fermerët që të sjellin dokumente shtesë kur kanë mungesë dhe ata fermerë do të paraqiten pranë zyrave tona për të plotësuar këto dokumente.”

 

 

I gjithë procesi i verifikimit dhe tërheqjes së kartave dhe litrave të naftës nga fermerët ka një afat, datën 31 dhjetor.

 

VULLNET GJOLLA

DREJTOR, DREJTORIA RAJONALE E BUJQESISE, KORÇE

“Sapo fermerët të informohen nga drejtoria rajonale apo nëpërmjet rrjeteve dhe mediave, duhet patjetër të paraqiten pranë drejtorive dhe zyrave tona për të tërhequr kartën e naftës, e cila shumë shpejt do të fillojë të shpërndahet dhe të tërheqin  sasitë er tyre të litrave deri në datën 31 dhjetor. Deri në fund të vitit, duhet të tërhiqet e gjithë sasia.”

 

Kartat e naftës i përfitojnë fermerët që punojnë një sipërfaqe toke jo më pak se 1 hektar. 100% të sasisë së naftës e marrin ata bujq që kanë sipërfaqe toke 10 hektarë. Ndërsa ata që zotërojnë mbi 10 hektarë tokë, përfitojnë duke u përllogaritur nevoja për naftë që ata kanë si edhe sasinë e naftës e mbetur në dispozicion.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re