Pas transmetimit të emisionit Studio Plus në Berati TV ku i ftuar ishte Kryetari i Bashkisë Ervin Demo, ish anëtari i Këshillit Bashkiak Berat dhe publicisti Namir Lapardhaja ka bërë një shkrim duke replikuar ndaj kryebashkiakut Demo, lidhur me akuzat që ky i fundit artikuloi sa i përket situatës financiare në Bashki. Gjithashtu ka shkruar edhe rreth rritjes së tarifave për banorët dhe bizneset. Më poshtë shkrimi i plotë i Namir Lapardhasë:

Që bashkia Berat t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve

Nga Namir Lapardhaja* –

Në Berat, opozita protestoi përpara institucionit të bashkisë, veç të tjerash, për rritjen e taksave dhe tarifave vendore. Si e drejtë themelore, protesta është e domosdoshme sa herë që qytetarët përballen me vendime të padrejta. Ndonëse ata nëpërkëmben në mënyra të ndryshe, përveç protestës, ka dhe rrugë të tjera. Një ndër to, në rastin konkret, është përballja në Gjykatë Administrative. Në mbrëmjen e së njëjtës ditë, kryetari i bashkisë Berat, z. Ervin Demo, u shfaq në një intervistë në median lokale, ku iu përgjigj edhe pretendimeve të opozitës dhe të qytetarëve lidhur me këtë rritje. Dy ishin argumentet e tij: së pari, nga keqqeverisja e mëparshme, bashkinë e ka gjetur me një borxh 3.4 miliardë lekë dhe, së dyti, rritja e tyre është e domosdoshme, për shkak të barazimit të kostos me tarifën.

Që të kuptohemi, ndonëse nuk kam marrë pjesë në votimet njëpartiake të qershorit 2019, në mungesë të një alternative nga opozita, duke njohur figurat e politikës lokale, si qytetar kam besuar se një kandidaturë e profilit të z. Demo, me një CV të pasur, ardhur nga bota universitare, mbi sherrnajat lokale, do t’i bënte mirë Beratit. Pavarësisht dëshirave, politikanët njihen më mirë nga aktet e tyre. Nëse ato janë në dobi të qytetit dhe të qytetarëve, apo për kalkulime politike.

Edhe pse z. Demo gjatë intervistës së tij u shpreh se borxhi i akumuluar është 3.4 miliardë lekë (kohë më parë kishte dhënë shifrën 2.6 miliardë), të dhënat e borxhit i pasqyron Ministria e Financave çdo 3-mujor. (Shih: Udhëzimi plotësues nr. 1, datë 17.01.2019 “Për zbatimin e buxhetit të vitit 2019). Sipas këtij institucioni të rëndësishëm për financat e vendit, deri më 30.06.2019, borxhi i bashkisë Berat ka qenë 26.493.635 lekë. Një shifër kjo përafërsisht 15 herë më e ulët se ajo që paraqitet. Bashkia Berat po gënjen apo metodologjia e përllogaritjes së borxhit nga specialistët e saj është e gabuar, duke përfshirë si borxh vlerat e kontratave disavjeçare, në një kohë që nuk fusin në të njëjtën përllogaritje të ardhurat e atyre viteve. Gjithashtu, z. Demo, i argumentoi rritjet me domosdoshmërinë e barazimit të kostos me tarifën. Që të rrisësh një taks ose një tarifë, duhet specifikuar përllogaritja e lekëve që do të mblidhen nga këto tarifat që do të rriten, gjë që mungon në materialin e bashkisë Berat. A janë rritur ato në të njëjtën masë me rritjen e tarifës? Po shpenzimet e këtyre shërbimeve? A do të shpenzojë më shumë për të dhënë më shumë shërbim për qytetarët dhe bizneset, apo do të shpenzohet me shumë për të dhënë të njëjtin shërbim? Me ç’duket, barazimi i kostos me tarifën bëhet a priori me përllogaritje matematikore për t’i ardhur në ndihmë mbushjes së pretenduar të borxhit. Në kushtet e një varfërie të madhe, të rrisësh taksat dhe tarifat për bizneset dhe qytetarët, të cilët janë në kufijtë e mbijetesës, nuk tregon vizion për menaxhimin e duhur të financave publike, as vetëdije qytetare. Shkurtimi i shpenzimeve dhe personelit në një institucion me administratë vazhdimisht të fryrë, do të ishte një zgjidhje efikase. Kështu mbahej edhe një premtim elektoral.

Qytetarët dhe bizneset e Beratit, në fshat dhe qytet, duhet të dinë se tarifat e pastrimit, gjelbërimit, ndriçimit, apo dhe të tjera, i janë rritur maksimalisht, duke filluar nga 47% deri në 57% për familjarët dhe nga 55% deri në 69% për bizneset. Pa përmendur këtu rritjen e institucioneve në masën 100%, apo tarifën e re të arsimit. Fatura e re që pasqyron këtë rritje ende nuk ka shkuar në duart e qytetarëve dhe të bizneseve, për shkak të situatës së krijuar nga Covid 19. Kurse ata që janë njohur, nuk e kanë kuptuar se ajo që kanë paguar ka qenë vetëm kësti i parë, sepse ka edhe një pagesë tjetër me të njëjtën shumë më datën 05 shtator 2020 (sipas VKB Nr. 19, datë 31.03.2020).
Pavarësisht diskutimeve dhe protestave, ky problem mes bashkisë së Beratit dhe qytetarëve e biznesit zgjidhet në rrugë ligjore-administrative. Çdo individ, biznes, forcë politike, mund të paraqesë një padi ndaj Vendimit Nr. 60, datë 18.12.2019, “PËR MIRATIMIN E TAKSAVE DHE TARIFAVE VENDORE NË BASHKINË BERAT” dhe me të t’i drejtohet Gjykatës Administrative për shfuqizim të këtij akti.

Sepse, në bazë të Ligjit Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, në neni 3/dh, ku thuhet se vetëqeverisja vendore siguron qeverisje të efektshme dhe efikase të afërt me qytetarët e saj, sqarohet që këtë e realizon nëpërmjet: “Nxitjes efektive të pjesëmarrjes gjithpërfshirëse të bashkësisë në vetëqeverisjen vendore”.
Po ashtu, në KREU VI të këtij ligji (TRANSPARENCA, KONSULTIMI DHE PJESËMARRJA QYTETARE), Neni 15, pika 1, ligjëvënësi shprehet: “Njësitë e vetëqeverisjes vendore garantojnë për publikun transparencën e veprimtarisë së tyre.” Njëkohësisht, në pikën 3 citohet: “Çdo njësi e vetëqeverisjes vendore është e detyruar të caktojë koordinatorin e transparencës dhe të miratojë programin e transparencës, duke siguruar akes nga të gjithë, veçanërisht nga shtresat më të varfra të komunitetit, në përputhje me dispozitat e ligjit në fuqi për të drejtën e informimit.”
Kurse në Nenin 16, kur flitet për konsultimin publik në njësitë e vetëqeverisjes vendore, në pikën 1 dhe 2 thuhet: “1. Organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes. 2. Çdo njësi e vetëqeverisjes vendore është e detyruar të caktojë koordinatorin për njoftimin dhe konsultimin publik, në përputhje me dispozitat e ligjit në fuqi për njoftimin dhe konsultimin publik.”
Gjithashtu, në Nenin 18, kur flet për seancat e këshillimeve me bashkësinë, në pikën 1 thuhet shprehimisht: “Këshilli bashkiak ose këshilli i qarkut, përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, zhvillon seanca këshillimi me bashkësinë, të cilat janë të detyrueshme për rastet e parashikuara në nenet 54, shkronjat “a”, “dh”, “e”, “f” dhe “k”, dhe 77, shkronjat “a”, “dh”, “e”, “f” dhe “k”, të këtij ligji.” Neni 54, i përmendur në nenin 18, që flet për detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak, në pikën f) thotë: “Vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi.”

Nga sa më sipër, ligjëvënësi ka parashikuar që në gjithçka të prevalojë interesi publik. Ndaj çdo gjë që ka të bëjë me miratimin e taksave dhe tarifave, duhet të realizohet në frymën e nxitjes së pjesëmarrjes efektive të bashkësisë në vendimmarrje, nën frymën e transparencës, sigurimit të aksesit të të gjitha shtresave të shoqërisë, koordinimit dhe konsultimit publik me aktorët e interesuar dhe të prekur drejtpërdrejt. Vendimi Nr. 60 i këshillit bashkiak Berat nuk ka respektuar asnjë nga kërkesat e ligjvënësit. Në faqen e internetit të bashkisë Berat nuk ka asnjë informacion zyrtar që të paraqesë takimet, konsultimet apo diskutimet me komunitetin dhe bizneset në njësitë administrative të kësaj bashkie, në fshatrat apo lagjet e qytetit, sipas përcaktimit ligjor. Nuk ka asnjë dokument të protokolluar për këto procedura të domosdoshme ligjore. Biznesi është njohur me ndryshimet dhe rritjet vetëm pas faktit të kryer. Ndërkohë që shumica e qytetarëve ende nuk janë të informuar. Ligji e përcakton qartë se një procedurë e tillë duhet të realizohet me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë përpara miratimit të vendimit, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të ndihen të përfaqësuar dhe t’u merret mendim.

Sipas modelit të Tiranës, bashkia Berat ka vendosur taksën e arsimit. Në Nenin 35, që flet për të ardhurat që rrjedhin nga burimet e veta vendore, pika 5/ç thuhet: “Bashkitë krijojnë të ardhura nga tarifat vendore për: ç) çdo tarifë tjetër të përkohshme, në përputhje me rrethana të përcaktuara me ligj.” Kjo tarifë është e paargumentuar dhe destinacioni i saj nuk bëhet i ditur, ashtu siç është detyrimi ligjor.
Si përfundim, në kushtet e një mungesë përfaqësimi plural në këshillin bashkiak të Beratit, në mungesë të konsultave me qytetarë dhe biznese, siç e specifikon ligji, ligjëvënësi ka detyruar transparencën. Jo vetëm si detyrim ligjor, por si një mundësi për institucionet vendimarrëse të mbrojnë mbi gjithçka interesin qytetar në ushtrimin e detyrave të tyre publike.

*Autori ka qenë anëtar i këshillit bashkiak të Beratit (2015-2019).

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re