Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një takim me Organizatat e Shoqërisë Civile, me temë: “Bashkëpunimi Kuvend-Shoqëri Civile për përmirësimin e transparencës, pjesëmarrjes qytetare në proceset legjislative e mbikëqyrëse, të integrimit europian, realizuar nëpërmjet një dialogu civil informues, të strukturuar e bazuar në fakte”.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare dhe kryetarë të komisioneve parlamentare.

Në nisje të aktivitetit, përshëndeti Kryetarja e Kuvendit, e cila theksoi se rritja e bashkëpunimit të Kuvendit të Shqipërisë me Shoqërinë Civile përmes informimit, konsultimit, dialogut dhe partneritetit, do të vijojë të jetë prioritet me qëllim konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mbi baza institucionale.

“Dëshiroj të vlerësoj pasionin për të bërë këtë shumësi aktesh qytetarie që kërkon gazerma e fortë morale dhe kjo hapësirë e madhe lirie, që quhet shoqëri civile. Si një ish-aktiviste e shoqërisë civile mund të them se aktivizimi në shoqërinë civile nuk është profesion. Ai është pasion. Nuk është një punë për gra nazike dhe burra të përkorë, por është një sfidë për njerëz pasionantë që nuk presin të fitojnë, por janë gati të sakrifikojnë. Për bindje dhe për ide”, tha Spiropali.

Gjatë fjalës së saj kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali tha gjithashtu se se balanca dhe kontrolli mes tre pushteteve është gur themel i shtet-ndërtimit dhe se Shqipëria synon BE-në në vitin 2030 dhe kjo do të jetë kontribut i shoqërisë civile.

Spiropali: Shoqëria civile, hapësirë e madhe lirie, zgjeron lirinë e shoqërisë dhe qytetarëve…T’i japim fund formalitetit dhe praktikës që në bashkëpunimin mes institucioneve dhe shoqërisë civile të kënaqemi me fruta artificiale. Po ridimensionojmë konsultimin publik, bashkëpunimin dhe transparencën e Kuvendit me shoqërinë civile, partner jetik dhe roje e interesit publik e qytetar. Shqipëria në 2030 në BE, kontribut edhe i shoqërisë civile. Balanca dhe kontrolli mes tre pushteteve, gur themel i shtet-ndërtimit. Bashkë me shoqërinë civile ndaj kundërshtarëve të shoqërisë së lirë, sundimit të ligjit, minuesve të demokracisë dhe lartësimit të të drejtave të njeriut.

Ndërkohe e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, gjatë fjalës së saj nënvizoi se Shoqëria Civile ka rëndësi të veçantë në vendet demokratike si Shqipëria dhe se mbështetja e SHBA-së ndaj tyre nuk do të mungojë. “SHBA-të mbështesin Shoqërinë Civile në Shqipëri.

Çdo vit mbështesim mbi 30 organizata në Shqipëri. Shqipëria ka mjaft sfida. Falenderoj të gjithë përfaqësuesit e Shoqërisë Civile dhe Kuvendin e Shqipërisë që na mikpriti. Shoqëria Civile nxit një demokraci më gjithëpërfshirëse. Ambasada e SHBA mbështet punën tuaj që po bëni në rrugën drejt BE-së”, u shpreh VanHorn.

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri,  Michel Tarran, u shpreh se një takim i tillë ka rëndësi të veçantë për të forcuar rolin e Shoqërisë Civile në Shqipëri. “Prezenca e OSBE në Shqipëri është një prezencë pranë Shoqërisë Civile. Bashkëpunojmë me Shoqërinë Civile që nga fillimi i kësaj Prezence 27 vite më parë. Prezenca e OSBE organizon takime të vazhdueshme dhe Shoqëria Civile mund të adresojë sfidat e saj. Jam i impresionuar nga niveli profesional, mënyra e punës së përfaqësuesve të Shoqërisë Civile. Më vjen mirë që po forconi bashkëpunimin mes Parlamentit dhe Shoqërisë Civile.”-u shpreh  Tarran.

Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri,  Fiona McCluney, në fjalën e saj theksoi se ka shumë fusha ku Shoqëria Civile është aktive në Shqipëri dhe mund të jetë një partner konstant në të gjitha reformat. “Shpresoj të vazhdoni dialogun si një hapësirë për ndryshim në të ardhmen.”-u shpreh McCluney.

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka, gjatë fjalës së saj u shpreh se takimi i sotëm flet shumë për transparencën e Kuvendit të Shqipërisë.

“Krijimi i një mjedisi mundësues për Shoqërinë Civile është shumë i rëndësishëm. Patjetër që ka vend për përmirësim. Kemi nisma të shoqërisë civile që i kemi marrë në konsideratë dhe i kemi shqyrtuar. Shqetësimi qytetar, shqetësimi juaj vjen tek ne.”-u shpreh Bushka.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re