Edi Rama e kishte thënë edhe më parw, që Fatos Nano është një nga këshilltarët e tij politikë që i kërkon mendim herë pas here, por sot ai e përforcoi këtë pohim.

E në këtë aspekt, tashmë mund të bëhet një përballje apo përqasje w rolit si konsulentë politik që Fatos Nano e Sali Berisha kanë pasur si konsulentë të atyre që kanë zënë postet e mëparshme në partitë respektive: PS e PD.

Fatos Nano në këtë rol të ri, që duket se ka vite që po e luan, e sidomos që nga 2017-a, kur bëri deklaratën për “timonin europian”, por jo në publik, nuk është se ka qenë as i zhurmshëm e as protagonist.

Siç e pohoi edhe vetë Rama, Nano i jep opinion apo këshillë, kur vetë kryetari i sotëm i PS-së e ka kërkuar nga paraardhësi i tij.

Dhe nëse shikohet me kujdes edhe konfigurimi i logjikës politike të grupeve të interesit brenda PS-së, dallon normalisht lidhjet apo gjurmën e Nanos.

Numri dy i PS-së, Taulant Balla, edhe pse është një nga njerëzit e afërt të Ramës prej kohësh, vjen si një ekperiencë, por të afërt, me Fatos Nanon, pranë të cilit ka punuar këshilltar.

Balla u zgjodh numri 2 i PS-së; Sekretar i Përgjithshëm e kryetar grupi parlamentar, që prej kohës që Gramoz Ruçi u zgjodh kryetar i Kuvendit.

E ishte pikërisht prej 2017-s, kur duket që lidhja e Ramës me paraardhësin e tij ka nisur të forcohet gjithnjë e më shumë.

Përveç influencës, Nano, këshillat që mund t’i ketë dhënë Ramës, kanë qenë diskrete dhe jo protagoniste, pasi kurrë nuk ka folur publikisht apo të shesë në media se filan ide apo filan zhvillim ka ardhur si influencë e tij.

Ndërkaq Nano nuk e ka lidhur këtë influencë me një rikthim aktiv në karrierën në PS, qoftë edhe si deputet, madje as nuk ka folur për ambicjen e tij presidenciale, që para 2012-ës e ka shpallur publikisht.

Pra kemi një nivel këshilltari me profil hije, siç dhe një këshilltar edhe i nivelit të lartë, si një “kalë race” vepron në këto raste.

Krejt në antipod është roli i Sali Berishës, i cili, si dhe Nano dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013 dhe shpalli se largohet nga çdo rol drejtues në PD.

Megjithatë mbeti deputet dhe tha se do të jetë një këshilltar politik i pasardhësit të tij, që do t’i ofronte eksperiencën e tij.

Por edhe pse shpalli inaktivitetin, Sali Berisha nuk ishte një këshilltar në hije, por e pakta një “këshilltar në fron”, me fuqi reale politike.

Gjatë mandatit të parë të Lulzim Bashës në krye të PD-së, Sali Berisha ishte realisht kryetari i grupit parlamentar të PD-së, ku edhe nga shkaku i mungesës së Bashës që ishte kryetar bashkie, ishte njeriu i të enjtes që fliste pa fund në seancën që transmetohej direkt.

Ishte Berisha ai që ndikonte në vendimet e atypëratyshme të grupit të PD-së për t’u sjellë në seancë.

Mbahen mend largimet e menjëhershme të deputetëve, sa herë që Doktori linte sallën, apo dhe truprojë-rizmi politik gjatë seancave të Kuvendit.

Por përveç protagonizmit publik, në të cilat Berisha ishte “violinë e parë”, i tillë ishte edhe në vendimet e rëndësishme politike.

E mbani mend procesin e famshëm të Reformës në Drejtësi? Kur Basha i thoshte ambasadorit amerikan që do të duhej që të takohej edhe me Berishën në zyrën e tij te 20 katëshi për të marrë një izëm nga PD?

Apo edhe negociatat që zhvilloheshin në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës, kur Oerd Bylykbashi fliste pa fund me Doktorin në telefon edhe për yçkla të vogla të draftit mbi drejtësinë.

Ishte Berisha ai që kundërshtoi hapur vettingun dhe ONM-në, kur doli me të ashtuquajturën tezë të “sovranitetit” dhe kur i quajti ambasadorët si “Guvernatorë”.

Pra vendimin më të rëndësishëm politik të mandatit të parë në opozitë siç ishte reforma në drejtësi, PD e mori jo e këshilluar, por e imponuar nga Sali Berisha. I cili garon me Bashën në daljet e tij publike, duke qenë aktiv non stop në rrjetet sociale.

Ndërkaq, vendimi i çadrës së 2017-s si mundësi për një pushtet në tavolinë, ishte gjithashtu një vendim i nxitur nga tezat e Sali Berishës që deklaronte se “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje” por vetëm revolucion.

Edhe në mandatin e dytë të opozitës, kur Basha hyri në Kuvend si deputet, Berisha ishte gjithashtu protagonist.

Por ai ishte vendimtar në dy vendime të rëndësishme të PD-së: atë për të mbajtur me çdo kusht Adriatik Llallën si kryeprokuror dhe djegien e mandateve e bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 2019-s.

Ishte Sali Berisha që opsionin e djegieve e elaboroi i pari, madje pasi bëri thirrje nga Kuvendi që njerëzit duhet që “të armatosen”.

Edhe pas rikthimit të PD-së në logjikën e institucioneve e përgatitjen për zgjedhjet e 25 prillit, Berisha ka qenë vendimtar.

Ai madje arriti që vendimet e komisionit që ngriti Basha me Rulin e Nishanin të kthehen në nul, duke bërë të ditur në vetë të parë që do të kandidojë për deputet.

Tezat politike të PD-së, përpara se të bëhen zyrtare, thirren në publik nga Doktori.

Kështu që në ndryshim nga Fatos Nano, që është një këshilltar klasik, Sali Berisha është këshilltar-në fron, edhe pse formalisht nuk e mban karriken në selinë blu.

Studioja e Berishës, deri vjet, se tashmë është kohë pandemie e kontaktet janë më të pakta, është më e populluar se zyra e Bashës nga grupet e interesit në PD.

I vetmi rast kur Basha mbajti një qëndrim më distant, kur dhe u konfrontua me Sali Berishën, ishte marrëveshja me Edi Ramën në 2017-n, kur dhe hoqi nga lista për deputetë disa njerëz pranë familjes Berisha, deri edhe dhëndrin e tij.

Por që situata ndryshoi pas humbjes së 2017-s, kur Doktori nuk jep disa opsione apo një opinion, por dikton vijën…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re