Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, aleat i Partisë Demokratike në një intervistë për CNA.al, ka komentuar zërat të cilat ditët e fundit flasin për një bashkëqeverisje mes PD dhe PS.

Ndoka u shpreh kundër një bashkëqeverisje, gjë e cila sipas tij do të dëmtonte vendin, ndërsa shtoi se Shqipëria ka nevojë për opozitë dhe jo për qeverisje pazaresh.

Gjithashtu Ndoka ka folur edhe për qëndrimet e SHBA ndaj ish-kryeministrit Berisha.

Ai vlerësoi mbështetjen e SHBA për Reformën në Drejtësi, por shtoi se Berisha nuk mund të jetë jashtë Kuvendit, pasi është votuar nga qytetarët shqiptarë.

Ndërsa i pyetur nga nëse i beson më Lulzim Bashës, Ndoka theksoi se “besimi i tepërt më ndëshkoi në mënyre tinëzare dhe të pabesë.”.

Gjithashtu ai i ka drejtuar edhe një mesazh të fortë Lulzim Bashës, ndërsa u shpreh se “Është koha për reflektim për të gjithë, së pari, për Bashën.”

Z. Ndoka a jeni ju për bashkëqeverisje, PD-PS, siç po flitet ditët e fundit?

Bashkëpunim për reformat kushtetuese, Kodin Zgjedhor, strategjinë kombëtare në fusha të ndryshme, integrimin Europian, domosdoshmëri për vendin dhe të ardhmen tonë.

Bashkëqeverisje do të thotë pjesëmarrje në krim zgjedhor, përgjegjësi për keq qeverisjen dhe një dëm të madh ndaj sistemit në tërësi.

Vendi ka nevojë më shumë sot për Opozitë, se sa për një qeverisje pazaresh, pa principe e pa kontroll parlamentar.

Sa do ju dëmtonte ju dhe në interes të kujt do të shkonte kjo bashkëqeverisje?

Kjo dëmton rëndë interesin publik së pari, mungesë kontrolli dhe do të sillte një kapje të sistemit në tërësi. Një dëm i madh për pluralizmin dhe demokracinë funksionale.

Berisha është votuar nga qytetarët shqiptarë, unë besoj tek institucionet tona. SHBA-ja po jep një kontribut për forcimin dhe reformimin e sistemit të drejtësisë. Zgjidhjet extra ligjore, krijojnë një mungesë besimi dhe një çoroditje pa sens e kuptim. Lufta e hapur ndaj Opozitës ka lënë një shije të hidhur tek opinioni. Të gjithë presin ndëshkim për korrupsionin ndër vite, ndaj lufta selektive krijon probleme dhe rrit hendekun e besueshmërisë.

A keni biseduar me Bashën pas zgjedhjeve, nëse po si e justifikon ai humbjen, lënien për të tretën herë në Opozitë?

Akoma nuk kemi patur një takim zyrtar me aleatët, ndoshta pak e vonuar.

Sot a i besoni më Lulzim Bashës?

Unë personalisht kam arsye për të qënë i vëmendshëm, besimi i tepërt më ndëshkoi në mënyre tinëzare dhe të pabesë. Gjithsesi koha për reflektim për të gjithë, së pari, për Bashën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re