Një deklaratë e përbashkët është nënshkruar mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE), për të rritur bashkëpunimin kundër Rusisë dhe Kinës, për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën dhe për ta çuar bashkëpunimin mes dy palëve në një nivel më të lartë.

Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një ceremoni të mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel.

Në tekstin e ri të përgatitur në bazë të deklaratave të nënshkruara më parë në vitin 2016 dhe 2018, thuhet se bashkëpunimi NATO-BE bazohet në vlerat e përbashkëta, se rajoni euroatlantik po përballet me kërcënimin më të madh të viteve të fundit dhe se lufta e Rusisë në Ukrainë përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Në deklaratën thuhet se “lufta e Rusisë minon sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe në botë”, duke dënuar me termat më të ashpër agresionin e Rusisë.

NATO dhe BE i bënë thirrje Rusisë që të tërheqë menjëherë trupat e saj nga Ukraina, duke theksuar se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë.

Në deklaratë përfshihet edhe Kina

“Ne jetojmë në një periudhë të rritjes së konkurrencës strategjike. Pretendimet dhe politikat në rritje të Kinës paraqesin sfida që ne duhet t’i adresojmë”, thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se situata e brishtë dhe e paqëndrueshme në Evropë përgatiti terrenin e përshtatshëm për rivalët strategjikë dhe organizatat terroriste.

Duke theksuar rëndësinë e lidhjeve me SHBA-në në një periudhë të tillë, theksohet se NATO përbën bazën e mbrojtjes kolektive në rajonin euro-atlantik dhe u pranua rëndësia e “një mbrojtjeje më të fortë evropiane” dhe se kjo duhet të jetë plotësuese me NATO-n.

“Ndërsa kërcënimet dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballemi zhvillohen në shtrirje dhe përmasa, ne do ta çojmë partneritetin tonë në nivel tjetër bazuar në bashkëpunimin tonë afatgjatë”, thuhet në deklaratë.

Fushat ku do të rritet bashkëpunimi renditen si konkurrenca gjeostrategjike, mbrojtja e infrastrukturave kritike, teknologjitë shkatërruese në zhvillim, hapësira, efektet e sigurisë të ndryshimeve klimatike, ndërhyrjet e huaja dhe manipulimet e informacionit.

“Ne duhet ta forcojmë mbështetjen për Ukrainën”

Duke folur në konferencën për media të mbajtur pas ceremonisë së nënshkrimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se BE dhe NATO janë të vendosur ta çojnë partneritetin e tyre në një nivel tjetër përballë rritjes së konkurrencës gjeostrategjike.

“Moska do një Evropë ndryshe. Ajo dëshiron të kontrollojë fqinjët e saj, ajo e sheh demokracinë dhe lirinë si kërcënim. Kjo do të ketë pasoja afatgjata për sigurinë tonë”, tha Stoltenberg.

“Përballë konkurrencës strategjike në rritje, ne duhet të forcojmë më tej mbështetjen tonë për Ukrainën. Aktorët autoritarë po sfidojnë interesat, vlerat dhe parimet tona demokratike me mjete ushtarake, politike, ekonomike dhe teknologjike. Vendosmëria dhe politikat në rritje të Kinës paraqesin sfida që ne duhet t’i adresojmë. Konflikti i vazhdueshëm dhe paqëndrueshmëria rreth nesh minon sigurinë tonë dhe ofron terren të favorshëm për rivalët strategjikë dhe grupet terroriste”, theksoi Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se BE dhe NATO janë të vendosur për ta çuar bashkëpunimin e tyre në një nivel tjetër.

Po ashtu ai theksoi se deklarata e përbashkët që ai nënshkroi me BE-në bëri të qartë se NATO vazhdon të jetë mjeti kryesor i mbrojtjes për sigurinë euroatlantike.

BE pret me padurim anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

Presidentja e Komisionit të BE-së, Von der Leyen tha se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, është zhvilluar bashkëpunimi midis BE-së dhe NATO-s.

“Ne duhet të thellojmë këtë partneritet dhe bashkëpunim 20-vjeçar, sepse siguria e Evropës është nën kërcënim. Kjo reflektohet në dëshirën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësimin në NATO. Ne presim me padurim bashkimin e dy vendeve në NATO”, tha Von der Leyen.

Sanksione të reja ndaj Bjellorusisë dhe Iranit

Duke u shprehur se do të rrisin presionin ndaj vendeve që japin mbështetje ushtarake për Rusinë dhe Kremlinin, Von der Leyen deklaroi se do të zgjerojnë sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe Iranit.

Ajo deklaroi se do të vendosin sanksione të reja edhe ndaj Bjellorusisë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Michel, tha se BE dhe NATO janë edhe më të forta kur bashkëpunojnë dhe se Rusia nuk mund ta arrijë qëllimin e saj për ta dobësuar BE-në dhe NATO-n, por i bënë ata edhe më të fortë.

“Ne si BE dhe NATO, jemi më afër se kurrë më parë”, tha Michel.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re