Ministrat e mbrojtjes së NATO-s vendosën të dërgojnë deri në 3.500 trupa shtesë në Irak.

“Ne do të zgjerojmë misionin trajnues të NATO-s në Irak për të siguruar që DEASH të mos kthehet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg në një konferencë shtypi.

Numri i personelit të NATO-s do të rritet nga 500 në 4.000 në vend, tha shefi i NATO-s pas ditës së dytë të takimit virtual të ministrave.

Duke vënë në dukje se grupi terrorist DEASH ende vepron në Irak, Stoltenberg tha se “rritja e sulmeve nxjerr në pah rëndësinë për të rritur misionin e NATO-s”.

Ai shtoi se duke zgjeruar misionin e saj të ndërtimit të kapaciteteve, aleanca synon të shmangë një situatë në të ardhmen që do të kërkonte forca luftarake të NATO-s.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s ende nuk kanë vendosur për praninë e ardhshme të aleancës ushtarake në Afganistan, tha Stoltenberg.

“Ne duam të sigurohemi që të kemi një marrëveshje të qëndrueshme politike që na mundëson të largohemi”, tha ai.

Shefi i NATO-s theksoi se aleanca kërkon të sigurojë që Afganistani të mos bëhet më kurrë një “strehë e sigurt për terroristët”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re