Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) njoftoi sot se po vendos forca shtesë në gatishmëri dhe po dërgon më shumë anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore, ndërsa Rusia vazhdon të grumbullojë trupa pranë Ukrainës, raporton AP.

Aleanca tha se ishte duke rritur praninë e saj “parandaluese” në rajonin e Detit Baltik. Disa shtete anëtare të aleancës ushtarake, e cila ka 30 anëtarë, ofruan trupa dhe pajisje.

“NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur aleatët e saj, duke përfshirë forcimin e pjesës lindore të Aleancës. Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi në mjedisin tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Danimarka dërgon një fregatë në Detin Baltik dhe avionë luftarakë F-16 në Lituani. Spanja po dërgon anije për t’u bashkuar me forcat detare të NATO-s dhe po shqyrton dërgimin e avionëve luftarakë në Bullgari. Franca është gati të dërgojë trupa në Bullgari, tha Aleanca.

Ministrat e Jashtëm të BE-së në një takim po përpiqen të tregojnë vendosmëri shtesë për të mbështetur Ukrainën, ndërsa Irlanda paralajmëroi se stërvitjet e reja ushtarake ruse në brigjet e saj nuk janë të mirëpritura duke pasur parasysh tensionet mbi synimet e mundshme të presidentit rus Vladimir Putin për të sulmuar Ukrainën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re