Diagnoza e ashpër e Emmanuel Macron se NATO është në një “vdekje klinike”, mërziti shumë kancelaritë europiane. E kjo, pas aktit të tij të vetos ndaj hapjes së negociatave me Tiranën dhe Shkupin. Por sipas zyrtarëve francezë, Macron me qëndrimet e tij kërkon të parandalojë një botë gjithnjë e më të rrezikshme

Ai paralajmëroi anëtarët evropianë të NATO-s se ata nuk mund të mbështeteshin më në Shtetet e Bashkuara, domethënë, Amerika nuk mund të pritej më të qëndronte në mbrojtje të vendeve anëtare të Aleancës.

Edhe pse Macron ka kohë që i ka kërkuar Evropës që të mendojë për veten e saj si një “forcë sovrane” autonome, vlerësimi i tij i zymtë i NATO-s 70-vjeçare ka provokuar reagime të forta, së pari nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila e quajti një “deklaratë të rëndë”.

Por Macron, 41 vjeç, mendon se është e nevojshme të thuash disa gjëra hapur, e kjo për të shkundur Evropën përpara takimit të NATO-s në Londër në 4 dhjetor.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet”, i tha Reuters-it një zyrtari pa emër francez.

“Duke thënë këtë, është e pashmangshme që të shkaktohet acarim, tension, ndonjëherë ndarje. Mund sjellë dëm në fillim, por nganjëherë bëhet bazë për unitetin e ardhshëm”, shtoi ai.

Disa shtete, tah zyrtari, duan të fshehin atë që po ndodh në Siri, dhe Parisi e konsideron këtë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Komentet e Macron kanë shkaktuar një shqetësim të konsiderueshëm dhe në Evropën Lindore, e cila i sheh SHBA-të si garantuesin e vetëm të pavarësisë së saj nga Rusia, sipas Reuters.

“Nuk mund të them që kjo deklaratë na bëri shumë të lumtur”, tha Presidenti lituanes Zitanas Naused.

Nënkryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Estoni, Marko Mihkelson, tha që deklarata e Macron po dërgonte një “sinjal të rrezikshëm”. Edhe Polonia gjithashtu shprehu “shqetësim”.

Sidoqoftë, zyrtarët francezë thonë se Macron vetëm tha atë që ishte e qartë, pasi dihet që Presidenti Donald Trump e ka vënë në pikëpyetje angazhimin e SHBA ndaj NATO-s, duke e cilësuar atë “të vjetëruar”.

“Ideja ishte të inkurajojmë debatin. Nuk varet nga ne që të vendosim se ku do të shkojë. Ne nuk kemi një plan të paracaktuar”, tha zyrtari francez.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re