Skip to content

NATO: Kështu po laregohemi nga Afganistani

NATO njoftoi se tërheqja e forcave nga Afganistani ka filluar dhe shtoi se të gjitha masat janë marrë për të garantuar sigurinë e tyre.

“Tërheqja ka filluar. Do të jetë një proces i koordinuar dhe i menduar. Siguria e ushtarëve tanë do të jetë përparësia kryesore në çdo hap dhe ne jemi duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar personelin tonë,” tha një zyrtar pa emër i NATO-s, i cili nuk specifikoi numrin e ushtarëve.

Sipas tij, NATO do të “përgjigjet me forcë” ndaj çdo sulmi të Talibanëve gjatë tërheqjes.

Në mes të prillit, NATO vendosi të fillojë tërheqjen e forcave të saj në 1 maj.

Përfundimi i misionit

Presidenti amerikan Joseph Biden tha më parë se misioni në Afganistan ishte përmbushur dhe se tërheqja e trupave amerikane duhet të përfundonte në 11 shtator, 20-vjetorin e sulmit ndaj SHBA.

Vendet më të përfshira në misionin në Afganistan janë Shtetet e Bashkuara (2,500 trupa), Gjermania (1,300), Italia (895), Mbretëria e Bashkuar (750) dhe Turqia (600).

Këto vende kanë vendosur 6,000 nga 9,592 trupa të dislokuara nga 36 vende anëtare dhe partnere të NATO-s.

Misioni i Mbështetjes së Vendosur ishte ngarkuar me trajnimin e forcave afgane të sigurisë për të garantuar sigurinë e vendit të tyre pas largimit të trupave të huaja.

Talibanët vazhdojnë të paraqesin një kërcënim ndërsa kanë shtuar sulmet ndaj policisë dhe ushtrisë në javët e fundit.

Shumë analistë besojnë se tërheqja e forcave të NATO-s mund të provokojë një luftë të re civile në Afganistan ose të lejojë që Talibanët, të cilët u dëbuan në fund të vitit 2001, të ktheheshin në pushtet.