Me deklaratën se NATO po ndjek me vigjilencë zhvillimet në Kosovë e Bosnje Hercegovinë dhe kërcënimet hibride dhe kiberentike që vijnë nga Rusia, Jens Stoltenberg konfirmoi se Aleanca Atlantike nuk do të lejojë cënimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor e aq më pak të vendeve aleate si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

 

JENS STOLTENBERG

SEKRETAR I PERGJITHSHEM I NATOS

 

Ne nuk shohim ndonjë kërcënim eminent ushtarak kundër ndonjë vendi aleat të NATOS në këtë rajon. Ajo që shohim është një rritje e tensioneve dhe kërcënimeve në Bosnje Hercegovinë, situatën e brishtë në Kosovë, normalizimin e ndaluar të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga zgjedhjet, diplomacia dhe jo kaosi  është rruga. Formimi i asosacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës është një hap i rëndësishëm për të ecur përpara. Është koha t’i tejkalojmë konfliktet.

 

Në bisedimet me dyer të mbyllura mes shefit të NATO-s dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor kërkesa e kryeministrit Edi Rama për Kosovën ishte.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Theksova domosdoshmërinë  e rritjes së numër të forcave të NATO-S në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve, të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë, edhe me aktivitetin politik, me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim.

 

Dhe në funksion të mbrojtjes së Ballkanit Perëndimor nga Rusia që kërcënon me hapje të një konflikti të ri, Edi Rama thotë se është edhe kërkesa e Shqipërisë për ngritjen e një baze detare të NATO-s në portin e ri tregtar në Porto Romano.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-S në Porto Romano të procedohet sa më shpejt sepse ne besojmë shumë që çdo gjë që ndodh hap pas hapi, e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë, jo thjeshtë për Shqipërinë, as thjeshtë për krejt rajonin tonë, por edhe për vete NATO-n, e cila do të fitojë një tjetër akses të shpejtë në këtë anë të Europës, për çdo rast dhe për qëllimet strategjike të mbrojtjes së përbashkët.

 

Në përfundim të turit tre ditor në Ballkan, Jens Stoltenberg tha se Aleanca Atlantike do të bëjë gjithçka për të mbrojtuar aleatët e saj në rajon dhe se është duke e konsideruar propozimin Shqipërisë dhe Kroacisë për ndërtimin e një samiti mes NATO-s dhe Ballkanin Perëndimor.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re