Skip to content

NATO po vendos forca rezervë në Kosovë

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

NATO ka vendosur ushtarë rezervë në misionin e saj në Kosovë – KFOR, ka bërë të ditur njëri nga komandantët e misionit, para afatit për vendosjen e targave të prezantuara nga autoritetet e Kosovës, të cilat kundërshtohen nga serbët.

Përpjekjet e mëparshme për vendosjen e targave në veri të Kosovës, ku jetojnë shumica e serbëve, çuan në përleshje mes policisë dhe serbëve, të cilët vendosën postblloqe këtë verë.

Bllokada u hoqën kur paqeruajtësit e NATO-s iu bashkuan monitorimit të procesit dhe autoritetet e Kosovës e zgjatën afatin deri më 31 tetor.

Me afrimin e kësaj date, frika nga konflikti mes Kosovës dhe Serbisë po rritet.

“Si pjesë e planifikimit normal të vendosjes së forcave, ka rezerva të trajnuar për të ardhur këtu,” u tha gazetarëve në kampin Bondsteel komandanti i sektorit lindor të KFOR-it, kolonel Christopher Samulski.

Rreth 3700 paqeruajtës të NATO-s janë aktualisht të dislokuar në Kosovë.

Samulski nuk specifikoi se sa ushtarë shtesë kishin mbërritur në Kosovë, por ai përmendi një njësi “me madhësi batalioni”.

Një batalion zakonisht përbëhet nga 500 deri në 1000 ushtarë.

KFOR-i ka njoftuar se më 27 shtator do të zhvillojë stërvitjen ushtarake të quajtur “Saberja e Artë” në terrenin stërvitor të bazës së Novo Sellës.

Personeli i KFOR-it dhe EULEX-it do të marrin pjesë në stërvitje, në kuadër të operacionit të reagimit emergjent, ku personeli i KFOR-it vazhdon të punojë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me konceptin “përgjigjja e parë, e dytë dhe e tretë”. thuhet në një deklaratë të KFOR-it.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të fokusohet në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. 1999”, tha ai në deklaratë.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë