Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Rusia mund të sulmojë vendet e tjera fqinje nëse del fitimtare kundër Ukrainës.

Stoltenberg mbajti një fjalim duke marrë pjesë në kampin veror që Partia Laburiste zhvilloi në ishullin Utoya në Norvegji.

Në fjalën e tij, Stoltenberg foli për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe shtoi se mbështetja e NATO-s për Ukrainën është përgjegjësi morale.

“Është në interesin tonë që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin të mos jetë i suksesshëm në dëshirat e tij rreth Ukrainës. Një botë të cilën Putini e sheh se me fuqi ushtarake mund të arrijë atë që dëshiron do të jetë një botë edhe më e rrezikshme për ne. Nëse Rusia e fiton këtë luftë, Putini do të konfirmojë se dhuna funksionon. Më pas radha mund t’u vijë fqinjëve të tjerë të Rusisë”, deklaroi Stoltenberg.

Ai potencoi se përparimi i Rusisë është ndalur dhe Ukraina ka rimarrë disa rajone. Stoltenberg tha se NATO ka rritur praninë e saj në lindje për të mbrojtur paqen.

Stoltenberg tha se pas sulmit të Rusisë, NATO ka vepruar me më shumë unitet dhe se është përgatitur të pranojë anëtarë të rinj si Finlanda dhe Suedia.

“Senati i SHBA-së miratoi protokollet e pranimit. Në këtë mënyrë është rritur në 23 numri i aleatëve që kanë miratuar anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë. Ndërsa edhe shumë prej tyre janë afër përfundimit të proceseve të tyre kombëtare. Ky deri më tani ka qenë procesi më i shpejtë i anëtarësimit në historinë moderne të NATO-s”, theksoi Stoltenberg.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re