Spitali gjerman ku u trajtua lideri rus i opozitës Alexei Navalny tha se gjendja e tij ishte përmirësuar aq sa të lirohej nga ai institucion shëndetësor.

Sipas spitalit Charite në Berlin, pas 32 ditësh, gjendja e Navalny “u përmirësua aq sa të lirohej nga kujdesi akut spitalor”.

Spitali konfirmoi se Navalny u la të martën.

Ata shtojnë se “bazuar në progresin e pacientit dhe gjendjen aktuale, mjekët që e trajtuan atë besojnë se një shërim i plotë është i mundur”, por që është ende shumë herët për të vlerësuar pasojat e mundshme afatgjata të helmimit.

 Navalny, kritiku më i zhurmshëm i Presidentit Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht në një fluturim nga qyteti siberian i Tomsk për në Moskë.

Aeroplani u ul urgjentisht në Omsk dhe Navalny u dërgua me urgjencë në spital, ku kaloi dy ditë para se të transferohej për mjekim në kryeqytetin gjerman.

Fillimisht, zyra e Navalny-t pretendoi se ai mund të ishte helmuar me çaj në aeroport, por zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffan Siebert tha më 2 shtator se gjurmët e helmit të epokës sovjetike “Novichok” ishin gjetur në trupin e kryeopozitarit rus.

Kjo më vonë u konfirmua nga laboratorët në Suedi dhe Francë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re